E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy denoncime për femra të zhdukura në Tiranë, gjenden gruaja dhe vajza

 

TIRANE - Dy denoncime u regjistruan dje në Komisariatin e Kavajës dhe në atë Nr.5 në Tiranë, nga dy familjarë që kallëzuan në polici se u ishin zhdukur gruaja me fëmijët dhe motra. Por të dy njoftimet kanë dalë bllof, në momentin që policia ka zbuluar vendndodhjen e gruas me fëmijët dhe vajzës që pretendohej se ishin zhdukur. Në momentin që policia kontaktoi me “të zhdukurat”, ato kanë deklaruar se janë larguar me dëshirë dhe nuk kanë ndërmend të kthehen në banesat e tyre të mëparshme. Rasti i parë ka ndodhur në fshatin Luz i Vogël të Kavajës. Rasim M., 33 vjeç, ka denoncuar se i është larguar nga shtëpia bashkëshortja e tij Mimoza 33-vjeçare, bashkë me djalin dhe vajzën, fëmijë 8 dhe 14-vjeçarë. Brenda pak orëve, policia e Kavajës ka zbuluar vendndodhjen e nënës me dy fëmijët, e cila ishte në shtëpinë e të dashurit të saj në qytetin e Kavajës. Burime nga grupi që po heton ngjarjen, thanë se 33-vjeçarja ka deklaruar se nuk kishte humbur por ishte larguar me dëshirën e saj nga banesa, për të bashkëjetuar me 43-vjeçarin, Vasip C. Vetëm pak orë pasi sqaroi situatën e parë, policia mori një tjetër kallëzim, tashmë nga ana e bashkëshortes së Vasip C., e cila e denonconte atë për dhunë në familje dhe kërkonte që forcat e rendit ta merrnin në mbrojtje. Mereme C. ka treguar në polici se bashkëshorti i saj e dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht, në mënyrë që ajo ta lejonte për të bashkëjetuar me nënën e dy fëmijëve që kishte ikur nga shtëpia e bashkëshortit të saj. Gjithçka është zgjidhur brenda ditës dhe policia ka plotësuar një kërkesëpadi për lëshim urdhër mbrojtje për Mereme C., e cila dhunohej nga bashkëshorti, ndërsa ka këshilluar nënën e dy fëmijëve që të bënte kërkesë për divorc në gjykatë, në mënyrë që të zgjidhej edhe kujdestaria e fëmijëve të saj. Ndërsa në Tiranë, një 18-vjeçar, i cili ka dështuar në përpjekjet për t’i mbushur mendjen motrës së vet që të ndahej nga i dashuri në moshë më të madhe se ajo, e ka denoncuar në Komisariatin Nr.5 si të humbur. Policia ka nisur kërkimet për vajzën 21-vjeçare, me iniciale V.S, e cila është gjetur në banesën e të dashurit të saj, 36-vjeçarit A.S. Në momentin që policia ka dashur që ta kthente në shtëpinë e prindërve të saj, vajza nuk ka pranuar, duke deklaruar se ishte larguar me dëshirën e saj.                        e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›