E Shtunë, 31 Tetor 2026

I sëmuri mendor djeg shtëpinë

 

Etleva Delia

Një i sëmurë mendor u arrestua dje nga policia e kryeqytetit, pasi i ka vënë flakën shtëpisë së tij, duke e shkrumbuar plotësisht atë. Ngjarja ndodhi gjatë natës së dielë, duke u gdhirë dita e hënë, në periferi të Tiranës, pranë Tufinës. Burime nga policia thanë se kanë arrestuar autorin, një 30-vjeçar, i cili ka rezultuar person me probleme të rënda psikike dhe që sipas hetuesve ka dhënë deklarime kontradiktore për ngjarjen. Ai ka thënë se ishte larguar nga banesa dhe kur është kthyer ka gjetur shtëpinë të shkrumbuar nga zjarri. Në momentin e ngjarjes në banesë nuk ndodhej asnjë pjesëtar i familjes, pasi të afërmit e të arrestuarit ishin në një dasmë dhe flakët kanë shkaktuar vetëm dëme të konsiderueshme materiale, pa të lënduar në njerëz. Policia dhe zjarrfikëset janë lajmëruar nga disa banorë të zonës përreth, të cilët kanë parë shtëpinë të përfshirë nga flakët. Por duke qenë së lajmërimi është bërë me vonesë, shtëpia është shkatërruar plotësisht duke u kthyer në një objekt të pa banueshëm. Sipas burimeve nga policia, mësohet se 30-vjeçari ka shkuar natën vonë në shtëpi dhe sikur të mos i mjaftonin problemet mendore, kishte konsumuar alkool, pasi siç dyshohet kur kreu krimin ka qenë në gjendje të dehur. Ai ishte larguar nga dasma, ku ndodheshin familjarët e tjerë të tij dhe ishte kthyer në shtëpi me pretendimin për të pushuar, por në fakt e ka spërkatur banesën rreth e rrotull me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën. Ai ka qëndruar për disa minuta jashtë në oborr, duke e parë teksa digjej ndërtesa përdhese, dhe më pas është larguar në drejtim të reparteve ushtarake, ku edhe është arrestuar nga policia. Oficerët e hetimit kanë marrë në pyetje dhjetëra banorë të zonës, të cilët kanë deklaruar se e kishin parë 30-vjeçarin që rrinte duke parë flakët dhe më pas ishte larguar me shpejtësi. Policia tha se ka marrë në pyetje edhe familjarët e tij, të cilët kanë deklaruar se i riu vuante prej kohësh nga probleme nervore, madje kishte qenë disa herë i shtruar në spital për këtë çështje. Të afërmit e të dyshuari si autor i ngjarjes, kanë pohuar në polici se ai ka qenë me ta në dasmë, deri në orët e vona të së dielës, ku kishte konsumuar një sasi të madhe pije alkoolike dhe më pas ishte larguar me pretendimin se ishte i lodhur dhe se po shkonte në shtëpi për të pushuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›