E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni shton gafat, quan Zonjën e Parë amerikane “të nxirë”

 

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni vazhdon të shtojë gafat me ndërkombëtarët, duke “fituar” vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përpos kërkesës për hetime disiplinore në RAI, që publikoi detaje të skandaleve të tij seksuale. Gjatë takimit me Presidentin Barak Obama dhe Zonjën e Parë amerikane, Michelle Obama, Berluskoni është zbavitur ta quajë edhe këtë të fundit “goxha të nxirë”. Një gafë të tillë kryeministri italian e kishte bërë edhe në prag të zgjedhjes së Obamës si president, duke e quajtur në një konferencë shtypi në Francë, “të bukur dhe të nxirë”. Një shtrëngim dore dhe më pas një përqafim me Barak Obamën dhe më pas një gjest i qartë vlerësimi për Zonjën e Parë amerikane. Në mbrëmjen e G20–ës në Pitsburg, Berluskoni nuk e fsheh admirimin e tij për Michelle Obamën. Sapo ka mbërritur, kryeministri italian pasi ka përshëndetur presidentin amerikan, i ka hedhur një shikim joshës zonjës Obama. Dhe me një pamje të vetëkënaqur, të shoqëruar nga një gjest admirimi, hap krahët për ta përqafuar. Shtypit ndërkombëtar nuk i ka shpëtuar ky detaj, ku Michelle e evitoi shumë bukur përqafimin e kryeministrit italian. Mes titujve të artikujve shkruhej se, “Zonja e Parë nuk donte të përqafohej prej tij”. Gazetarët shkruajnë se ndërsa Zonja e Parë amerikane i ka puthur në faqe të gjithë të ftuarit e fuqive më të mëdha ndërkombëtare, me kryeministrin italian është kufizuar me një shtrëngim të lehtë dore. Jo vetëm kaq, mediat theksojnë edhe shikimin veçanërisht serioz të Barak Obamës, që ndodhej mes Berluskonit dhe Michellës kur ajo dha përshtypjen se donte ta përfundonte shpejt përshëndetjen me liderin italian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›