E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursat, kërkohet shtesë fondi për studentët e UT

SHKRUAN: Jonida Tashi 21-01-2011 10:55

Grandi i vitit 2011, i akorduar për bursat ekonomike është 104 milionë lekë, ndërkohë që nevojat janë për rreth 110 milionë lekë

Universiteti i Tiranës kërkon shtesë fondi për bursat e studentëve. Ky shqetësim është ngritur edhe në mbledhjen e radhës të senatit të Universitetit të Tiranës (UT), gjatë së cilës është shpjeguar se grandi i vitit 2011, i akorduar për bursat ekonomike, është 104 milionë lekë, ndërkohë që nevojat janë për rreth 110 milionë lekë. Pra, Universitetit të Tiranës i janë dhënë 5.8 milionë lekë më pak për bursat e studentëve. “Duke krahasuar fondin për bursa për vitin 2011, me vitin 2010, kemi një pakësim fondi, prej 2.951.000 lekë, si dhe referuar nevojave të fakulteteve rezultojnë me mungesë të fondit për bursa prej 5.800.000 lekë. Kjo nevojë për fonde për vitin 2011 ka ardhur nga rritja e numrit të studentëve të shkëlqyer (studentë me 10), studentë më të mirë të Maturës Shtetërore si dhe kategoritë e tjera. Mungesa e këtij fondi mbetet për t’u zgjidhur në vazhdim”, - thuhet në relacionin e UT-së. Ky problem është ngritur gjatë mbledhjes së senatit edhe nga kancelari i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa, i cili është ankuar se studentët e këtij fakulteti nuk e kanë marrë këtë shumë dhe ka shtuar se për një pjesë të tyre, ajo është mjaft jetike. Për vitin akademik 2010-2011, qeveria ka miratuar 1920 bursa për studentët që nisin për herë të parë studimet e larta, ndërsa tashmë ka kaluar edhe afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para, që ishte data 15 janar 2011. Studentët që në vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Bursat e studentëve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga institucionet e arsimit të lartë. Studentët e viteve të dyta e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund ta përfitojnë atë brenda planit të bursave. Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët, që përfitojnë bursë sipas ligjit, është deri në 130, në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave, të dhëna për vitin shkollor 2010-2011. Institucionet e arsimit të lartë paraqesin në Ministrinë e Arsimit kërkesat për studentët që përfitojnë bursë. Ministria e Arsimit harton planin e shpërndarjes, të cilin i’a dërgon për ekzekutim institucioneve të arsimit të lartë. Bursat e miratuara nga qeveria për studentët do të jenë më të larta se ato të arsimit parauniversitar. Kështu, bursa e plotë për studentët e universiteteve, Akademisë së Arteve dhe shkollat e tjera të larta, do të jetë 8500, kurse bursa e pjesshme sa gjysma e bursës së plotë. Studentët e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve do të marrin bursa më të larta për vitin e ri akademik. Bursa e plotë për këta studentë do të jetë 9 mijë lekë në muaj, kurse gjysmëbursa 4500.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›