E Diel, 1 Nëntor 2026

BDI-PDSH: Nuk hyjmë në qeveri po nuk fituam

Dy subjektet kryesore shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH, kanë deklaruar se nëse humbasin në zgjedhjet e 1 qershorit, nuk do të pretendojnë të jenë pjesë e qeverisë. 

Përfaqësues të dy partive, Izet Mexhiti dhe Sulejman Rushiti, i bënë këto deklarata në BBC. Mexhiti është shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së dhe ka pohuar se, “edhe unë, edhe lideri ynë Ali Ahmeti ka deklaruar vazhdimisht se BDI nuk do të marrë pjesë në qeveri, nëse nuk merr mandatin nga populli shqiptar”. Një deklaratë të ngjashme ka bërë edhe Sulejman Rushiti, ministër i Arsimit në largim dhe kandidat për deputet i PDSH-së. “Mendoj se këto zgjedhje do të jenë sqaruese dhe ne do të ecim përpara. Por nëse do të dalim humbës, nuk do të pretendojmë të jemi pjesë e pushtetit”, tha Rushiti. Sipas BBC, kjo është hera e parë që të dy subjektet kryesore politike shqiptare të thonë se nuk do të jenë pjesë e koalicionit të ri qeverisës nëse nuk janë fitues. Çështja e përfshirjes në qeveri të partive shqiptare ka qenë një nga temat më të diskutuara në qeverisjen e kaluar. Në zgjedhjet e vitit 2006 udhëheqësi i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në cilësinë e mandatarit ftoi në qeveri PDSH-në, edhe pse ajo kishte më pak deputetë. Kjo situatë shkaktoi krizë edhe në funksionimin e parlamentit për shkak të parimit të shumicës së dyfishtë. Për disa ligje, që të miratohen, veç shumicës së përgjithshme nevojitet edhe shumica e votave të deputetëve jo maqedonas, të cilën shumicë e kontrollonte BDI. Vështirësitë e funksionimit të ligjvënësit shtynë BDI-në që të kërkojë zgjedhje të parakohshme, kërkesë e cila u pranua nga maxhoranca e kaluar.                              (BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›