E Diel, 1 Nëntor 2026

BDI fitoi 11 komuna, koalicioni PPD-PDSH nuk pranon rezultatet

30/03/2005  Opozita e Maqedonisë rezulton të ketë fituar më shumë zona zgjedhore

Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë ka njoftuar në Shkup se në dy raundet e zgjedhjeve vendore janë konfirmuar 73 kryetarë të komunave. Megjithatë, votimet janë kontestuar nga disa parti politike. Të dielën, sipas zëdhënësit Zoran Tanevskit, u zgjodhën kryetarët e 55 komunave, ndër të cilat shqiptarët fituan në 9 zona. 8 kandidatë të BDI-së dhe 1 i koalicionit opozitar shqiptar PDSH-PPD, kanë rezultuar si fitures. Kryatarët e 13 komunave me popullatë shumicë shqiptare, janë fituar në 11 nga BDI dhe 2 të koalicionit PDSH-PPD. Kandidatët e Bashkimi Demokrat për Integrim kanë fituar në komunat Zajaz, Osllome e Bogovi në rrethin e parë dhe në Gostivar, Vrapçishtë, Mavrovë, Dibër, Strugë, Likovë, Haraçinë dhe Tearcë në rrethin e dytë. Koalicioni PDSH-PPD fitoi në Saraj në rrethin e parë dhe në Zhelinë të Tetovës në rrethin e dytë zgjedhor. Gara për Tetovën dhe për disa komuna më të vogla do të zhvillohet pas dy javësh mes Hazbi Likës të BDI-së dhe Dr.Vehbi Bexhetit të Partisë Demokratike Shqiptare, e cila bashkë me PPD-në nuk po i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve.

Maqedonasit

Për sa i përket bllokut politik maqedonas, opozita e udhëhequr nga VMRO-të ka fituar në shumicën e komunave të Shkupit, në Karposh, por edhe në Manastir e në Prilep, ndërsa LSDM-ja fitoi në 37 komuna, ndër të cilat llogaritet edhe Ohri. Në këtë të fundit nuk janë dhënë rezultatet përfundimtare. Në Ohër mund të themi se do të kemi një fiasko të partive maqedone në pushtet, të cilat pas dy javësh do ta humbasin edhe postin e Prefektit të qytetit të Shkupit në garën e Risto Penovit me Trifun Kostovskin. Për këtë çështje zëdhënësi i Komisionit të Zgjedhjeve, Zoran Tanevski, tha se koalicioni qeveritar "Për Maqedoninë së bashku" fitoi 24 poste për kryetarë të komunave, "Opozita e Bashkuar" e kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja fitoi 17 poste për kryetarë të komunave, BDI-ja 7, VMRO-Popullore - 3, koalicioni PDSH-PPD - 1 dhe kandidatët e propozuar nga grupet zgjedhore fituan 3 poste për kryetarë të komunave. Bëhet e ditur se ende nuk kanë arritur rezultatet për Ohrin, ndërsa në komunën Butel të Shkupit votimi është pezulluar në pesë qendra, me rreth 4.000 zgjedhës. Votimet në Maqedoni janë ndjekur nga një numër i madh monitoruesish, të cilët kanë hedhur deklaratat e para për probleme gjatë procesit.

Deklaruan

Vllado Buçkovski

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate, Vllado Buçkovski, mbrëmë deklaroi se raundi i dytë i zgjedhjeve ka qenë shumë më i mirë në krahasim me raundin e parë. "E shpreh kënaqësinë time që ia arritëm para institucioneve të sistemit t`i pengojmë tentimet e individëve që ta turbullojnë fotografinë për rrethin e dytë të zgjedhjeve", tha Buçkovski. Sipas tij, funksionimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, prokurorive themelore publike në ditën e zgjedhjeve e ka kthyer punën në funksionimin e shtetit juridik.

Gëzim Ostreni

Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Gëzim Ostreni, tha dje se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në zgjedhjet lokale fitoi 11 vende të kryetarëve të qyteteve dhe komunave. Nënkryetari i BDI-së lajmëroi se kjo parti ka fituar vende të kryetarëve të qyteteve dhe komunave në Gostivar, Vrapçishtë, Mavrovë, Dibër, Strugë, Likovë, Haraçinë dhe Tearcë.

Radmilla Shekerinska

Koalicioni "Për Maqedoninë" në zgjedhjet lokale fitoi 37 vende të kryetarëve të komunave, lajmëroi nënkryetarja e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Radmilla Shekerinska. Koalicioni në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale fitoi në 25 komuna, në mesin e të cilave është edhe Ohri, tha Shekerinska, duke shtuar se në rrethin e parë janë zgjedhur 12 kryetarë të komunave.

Nikolla Gruevski

"Krahas të gjitha tentimeve për falsifikim, mbushje të kutive, dhunë, parregullsi të shumta në pjesën më të madhe të komunave të Maqedonisë fitoi opozita", deklaroi mbrëmë kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Ai i porositi kryetarët e rinj të komunave nga radhët e opozitës se menjëherë do të duhej t`i rreken punës me qëllim që të përmbushet ajo që është premtuar.

Vllatko Gjorçev

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev, mbrëmë në pres-konferencën shpalli "fitore bindëse" të opozitës në rrethin e dytë zgjedhor, me vende të fituara të kryetarëve të komunave në 18 komuna. Sipas Gjorçevit, opozita e bashkuar ka fituar në komunat e Shkupit: Aerodrom, Kisella Vodë, Qendër, Butel, Gjorçe Petrov, Gazi Babë, si dhe në Manastir, Prilep, Radovish, Vevçan, Pehçevë, Jegunovc, Kratovë, Novaci, Rankovc, Zërnovc, Ilinden dhe Vallandovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›