Presidenti hungarez nis sot vizitën në Tiranë
30/03/2005 Me ftesë të Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, sot nis vizitën zyrtare dyditore në Shqipëri Presidenti hungarez, Ferenc Madl. Në axhendën e takimeve, delegacioni, që kryesohet nga kreu i shtetit hungarez, parashikon takim kokë më kokë me Presidentin Moisiu në Pallatin e Brigadave. Bisedimet do të përqëndrohen në intesifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në fusha të ndryshme. Në takim do të synohet që të arrihet një bashkëpunim më i ngushtë në ekonomi, turizëm, investime etj. Gjatë qëndrimit në vendin tonë, Presidenti hungarez do të ketë takime zyrtare me Kryeministrin Fatos Nano, me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe me pretendentin për Fronin Mbretëror, Leka Zogu. Gjithashtu, Presidenti i Hungarisë do të pritet në Bashkinë e Tiranës nga kryetari i saj, Edi Rama dhe më pas do të vizitojë qytetet turistike të Krujës dhe Durrësit. Vizita e kreut të shtetit hungarez në Shqipëri shikohet nga autoritetet e larta të vendit si një premis i mirë për të "thithur" nga përvoja e Hungarisë në drejtim të integrimit të në strukturat evropiane e euroatlantike. Gjithashtu, në bisedime do të diskutohet edhe për çështjen e statustit të Kosovës, kjo duke patur parasysh dhe zhvillimet më të fundit në politikën e Prishtinës.