E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dimri i mbramë për Dalan Shapllon

30/03/2005  Shkrimtari, kritiku letrar dhe studiuesi Dalan Shapllo, ka ndërruar jetë të shtunën në Paris, në moshën 77-vjeçare; ceremonia mortore do të bëhet në Tiranë

Të qenit poet, të shkruarit prozë, e kanë bërë Dalan Shapllon të jetë kritik dhe studiues. Ndryshe nuk mund të shpjegohet personaliteti i tij, që “trembi” nga ikja miqtë e të afërmit, duke lënë një stol bosh në fushën e letrave.

Të shtunën, në Paris, u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare Dalan Shapllo. Pasi la pas ritualin e stinëve, dimrin, shkrimtarit do t’i bëhet ceremonia e fundit në Tiranë.

Autori i mbi 40 veprave në prozë, Shapllo, është njohur dhe si përkthyes, ku vitet e fundit është marrë me përshtatjen e përrallave për fëmijë, ndërsa ka botuar mjaft vëllime dhe shkrime kritike mbi letërsinë.

Për lexuesin francez, Shapllo u bë i njohur përmes përkthimit të tregimit "Në lagjen e zejtarëve", që u botua në Antologjinë e prozës shqipe, në Francë, nga shtëpia botuese "Fayard". Por puna e tij mjaft intensive, në çdo kohë u vlerësua në vitin 2003, kur u dekorua me urdhrin "Mjeshtër i madh", akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.

Sa i takon vlerësimeve nga kolegët e tij si përkthyes, Shapllo do të ndalte shpirtin e tij në çdo botim. Madje, prof.Jorgo Bulo në paraqitjen e botimit me përkthime nga letërsia persiane, shkruan se nga ky autor i kishte mbetur një enigmë e pazbuluar dhe e pathënë. “Vlerat poetike të shqipërimeve të katër autorëve persë, më bëjnë të pohoj se, Dalan Shapllo ka lindur poet dhe është pagëzuar prozator. Kjo nuk është e befasishme po të kemi parasysh se proza e tij më e mirë ka tipare të vërteta poetike”, ka pohuar Bulo. Duke jetuar midis dy kohërave, autoritetin letrar nuk do ta cytnin ravijëzimet e ashpra të nëndiktaturës. Me të njëjtin vitalitet vazhdoi të kryente Shapllo “detyrat” ndaj letërsisë, studimeve, e sidomos viteve të fundit në përkthime. Sfida e të qenit në punë, në letërsi, në përkthime apo studime, janë parë herë pas herë dhe në reagimet mediatike, ku Shapllo gjithë kohën i është dashur të hiqet mbrame për të tregur se kush po vjen në letërsi. Në të njëjtën kohë ka shkuar në zgrip të zanatit të moçëm të përkthimeve, deri aty sa një vjeshtë më parë arriti të përkthente “Poezinë klasike perse”, me autorë nga më të ndërlikuarët në poezi. Pikërisht për këtë, kolegët e tij do thonin se: “ka lindur prozator dhe është pagëzuar poet”.

I lindur në Gjirokastër në vitin 1928, Shapllo mori pjesë në Luftën Nacional-Çlirimtare. Më pas, ai u emërua kryeredaktor i gazetës "Drita", revistës "Nëntori", si dhe drejtues i Institutit të Kulturës Popullore.

Prof.Jorgo Bulo: Nuk është hera e parë që merret si studiues me botimet e Dalan Shapllos, përkthyes i katër poetëve persë të bashkuar në një vepër. Por gjithnjë, kur e kam mbaruar punën së shkruari, kam pasur përshtypjen se më kishte mbetur diçka pa thënë. Më duket se libri “Poezia klasike perse” e zgjidhi këtë enigmë. Vlerat poetike të shqipërimeve të katër autorëve persë më bëjnë të pohoj se, Dalan Shapllo ka lindur poet dhe është pagëzuar prozator. Kjo nuk është e befasishme po të kemi parasysh se proza e tij më e mirë ka tipare të vërteta poetike.

Xhevahir Spahiu: Përkthyesi Dalan Shapllo ka përcjellë shpirtin e tij nëpërmjet këtij libri. Ai i ka përjetuar poetët si poet. E ka ndihmuar, sigurisht, edhe fakti që ai vetë ka shkruar poezi, por, edhe kur ka shkruar prozë apo studime kritike mbi letërsinë, ka shkruar si poet, jo si një teknokrat, u shpreh Xhevahir Spahiu.

Dritëro Agolli:

Përkthyesi ka ecur me mjeshtëri në udhën e ustallarëve të shkëlqyer të shqipërimeve prej kësaj letërsie, por në këtë rrugë atij i ka ardhur shumë në ndihmë poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, jo vetëm me poezinë e shkruar persisht, por, sidomos me imitimet që i ka bërë traditës së kësaj letërsie në vepra të shkruara shqip.

Përkthyesi ka bërë një zgjedhje antologjike për lëndën që ka pëlqyer të bashkojë në librin “Poezi klasike persiane”. Në vjeshtën e jetës së tij, poeti dhe studiuesi Dalan Shapllo këputi një tufë lulesh të shkëlqyera nga kopështi i begatë i poezisë orientale.

Datat dhe simbolet janë të shenjta

Kam lexuar për mendimet që janë shfaqur lidhur me datën kombëtare të ditës së dëshmorëve: të mos jetë 5 Maji, por 7 Prilli, dita e vrasjes së Mujo Ulqinakut. Desha të bashkoj edhe unë zërin tim me ata që mbrojnë datën e 5 Majit si ditë e dëshmorëve. Kuptohet se të gjithë ne shqiptarët krenohemi me emrin e Mujo Ulqinakut, që nuk e duroi dot pushtimin, por me armë mbrojti atdheun e vet dhe u vra. Propozimi duket si pa të keq dhe është një mënyrë arsyetimi, po, do të thosha se në thelb, ky propozim u bashkohet të tjerave të ngjashme që duan të zvogëlojnë ose të mohojnë rolin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, një ngjarje e madhe dhe e lavdishme në historinë tonë kombëtare, që na i njeh gjithë bota. 5 Maji ka hyrë kaq shumë në ndërgjegjen e një populli, të një kombi, sa po ta heqësh si ditë e dëshmorëve do të ishte njëlloj si të këpusje një pjesë të shpirtit, të ndërgjegjes dhe të së vërtetës, që ka në thelbin e vet një të vërtetë historike, po dhe emocionale. Kaq shumë është përkujtuar kjo datë, sa heqja e saj do të duket sikur ia mohon emrin e madh Qemal Stafës, një intelektuali antifashist, që u sakrifikua në lule të rinisë. Dhe ja, më kujtohen vargjet e Sejfulla Malëshovës për vdekjen e Qemalit, disa prej të cilave po i citoj:

Më të ngrysur dita e Majit

Plasi gjaku i Qemalit..

Dridhen larot e Tiranës

Nga bucitja, nga tërmeti i Djalërisë..

Atë ditë lindi ylli i Shqipërisë.

Dhe poeti e shpjegon se “lindi ylli” ka kuptimin se filloi një epokë e re për Shqipërinë.

Duhet të mbetet 5 Maji, jo se do të harrojmë Mujon, por, sepse atëherë kur u vra Qemali filloi një rezistencë më e organizuar; pas tij u vranë Muzafer Asqeriu, tre heronjtë e Shkodrës, Margarita dhe Kristaq Tutulani etj.

Mos i prekni simbolet, datat e rëndësishme që u vendosën me përgjegjësi historike dhe i qëndruan kohës për një periudhë të gjatë!

Dalan Shapllo

kritik

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›