E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: 11 korriku, përkujtimore për Srebrenicën

Eurodeputetët shpallën dje 11 Korrikun si ditë përkujtimore të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, ku 8000 myslimanë boshnjakë u ekzekutuan në vitin 1995 nga trupat serbe të Bosnjës, një iniciativë e mbështetur nga Komisioni Evropian. Nëpërmjet një teksti që u miratua sot nga 556 anëtarë, nëntë kundër dhe 22 abstenime, ata i kërkuan 27 vendeve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian të mbështesin shpalljen nga Parlamenti Evropian të 11 Korrikut si ditë përkujtimore të gjenocidit të Srebrenicës.

"Të shpallësh 11 Korrikun si ditë përkujtimore të gjenocidit të Srebrenicës do të jetë një hap drejt pajtimit në Bosnjë-Hercegovinë, por gjithashtu dhe në rajon", deklaroi komisionerja për Marrëdhëniet me Jashtë, Benita Ferrero-Valdner. Eurodeputetët kërkuan përveç të tjerash më shumë përpjekje për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e këtyre masakrave që janë akoma në arrati para drejtësisë, figura kryesore e të cilëve është gjenerali Ratko Mlladiç.

Të paktën 5600 viktima nga masakra e Srebrenicës, cilësuar si gjenocid nga instancat ndërkombëtare gjyqësore, janë identifikuar. Rreth 8 mijë burra dhe adoleshentë myslimanë u vranë në vitin 1995 nga trupat serbe të Bosnjës. Radovan Karaxhiç u arrestua në muajin korrik në Beograd, pas 13 viteve qëndrimi si klandestin. Njëkohësisht i shpallur fajtor për ngjarjet e Srebrenicës, ish-shefi ushtarak i forcave serbe boshnjake, Ratko Mladiç, ndodhet ende në arrati.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›