E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa Reçakun, ende do të jetonim në frikë

"Po të mos ishte sakrifica e madhe e fshatit Reçak, ndoshta qytetarët e Kosovës edhe sot do të jetonin në frikë", ka thënë ambasadori amerikan" Uilliam Uolker (William Walker), në shënimin e 10-vjetorit të masakrës së Reçakut. "Por sot ata thithin ajrin e lirisë dhe të krenarisë së të qenit komb", tha ish-shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, në akademinë e organizuar, në përkujtim të masakrës ndaj 45 civilëve shqiptarë, e cila e shtyri NATO-n të nisë sulmet ajrore kundër objektivave serbe.

Uolker, në këtë përvjetor, kishte arsye të ndjehej më i relaksuar në fshatin e tij, qytetar nderi i të cilit është. Ai nuk e dinte faktin se ia kishte zënë vendin Qorr Ilazit, të njohur në Reçak, nga koha e kralevinës serbe. Uolker është bërë pjesë e historisë së këtij fshati kryengritës, nga i cili, siç tha në akademinë përkujtuese Presidenti i Fatmir Sejdiu, u shpërndanë pamje që askënd nuk e lanë indiferent në botë.

Ndjehej i emocionuar edhe për faktin se ai tash fotografohej edhe me fëmijët që kishin lindur pas masakrës, por edhe me njerëzit që u ishte kthyer një copë buzëqeshjeje në fytyrë. "Shoh tani fëmijë që nuk ishin atëherë. Shpresoj se për atë ditë të krimit do t‘ju flasin prindërit e tyre", tha Uolker për gazetën e Kosovës, "Express".

Teksa fotografohej me njerëzit e Reçakut dhe pranonte falënderimet e tyre që nuk po e harronte fshatin e tyre, ai u thoshte: "Nuk kam si ta harroj. Këtu janë njerëzit me të cilët ndamë dhimbjen bashkërisht atë ditë kur ndodhi krimi në Reçak. Fytyrat e tyre kurrë nuk mund t‘i harroj", u përgjigjej Uolker. Ai ka përkujtuar faktin se masakra e Reçakut bëri që bota të kthejë vëmendjen dhe të shohë se çfarë do të thotë të jesh qytetar i pambrojtur nën sundimin e Millosheviçit. "Arkitekti i masakrës vdiq në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ndërsa shumë të tjerë u dënuan. E rëndësishme është që Kosova është e lirë", ka thënë Uolker, duke lutur Zotin që ta bekojë Reçakun dhe Kosovën.

Edhe Kryeministri Hashim Thaçi tha se masakra në Reçak mbushi kupën e krimit serb. Kjo edhe është bërë dëshmi e gjallë me 42 varret mbi Rogën e Reçakut, ku janë varrosur fshatarë martirë.

Në mesin e familjarëve që qëndronin para varreve të të dashurve të tyre, kishte të drejtë të ndjehej me dhimbje më të madhe Hasan Metushi, varri i nënës së të cilit ka mbetur i zbrazët edhe pas dhjetë vitesh. Trupi i Sahide Metushit, e lindur më 1933, humbi pa gjurmë nga dita e 15 janarit të vitit 1999. "Kurrë më nuk mësuam për të. Atë ditë, pasi e vranë serbët, e kanë marrë dhe e kanë futur në një qese dhe nuk e dimë ka e kanë çuar. Nuk ka institucion nga i cili nuk kemi kërkuar ndihmë, por ende nuk ka asnjë shenjë për nënën", thoshte djali i saj Hasan Metushi, tek qëndronte pranë varrit të zbrazët të nënës së tij.

Plaku Faik Ramadani, i cili në këtë masakër ka humbur tre djem, vazhdonte të mbahej si burrë. Ai ndërsa rriste jetimët e dy djemve të tij, nuk gjente zemër të ankohej për ndihmën fare të vogël që gëzon familja e tij. ////////2vetëm le të bëhet mirë për fëmijët dhe për popullin e Kosovës. Pak gjëra edhe kanë ndërruar për mirë", shprehej pak me ngurrim plaku Ramadani.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismaili, ka falënderuar qeverinë e Kosovës që ka ndarë mjete për ndërtimin e kompleksit memorial në Reçak. Ismaili ka thënë se ky kompleks do të jetë me vlera gjithëkombëtare dhe më gjerë. Pas përfundimit të fazës së parë, ai ka paralajmëruar edhe vazhdimin e fazës së dytë.

Edhe PTK-ja ka gjetur ditën që të bëjë promovimin e pullës postare me portretin e Uolkerit dhe të Reçakut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›