E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, 272 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor

28-03-2013 / Gazeta 55

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle e cilëson paketën financiare të BE, si instrument të rëndësishëm në kuadër të maksimizimit të shteteve aspirantë si Shqipëria, për të avancuar procesin e reformave dhe plotësimin e standardeve europiane

Komisioni Europian ka finalizuar një seri masash për të nxitur bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila arrin në 272 milion euro, për periudhën 2012-2013. Një pjesë të rëndësishme në fondin e përvitshëm të Komisionit zë dhe Shqipëria, si vend aspirant për integrim në BE.
Komisioni për Zgjerimin, Stefan Fyle ka deklaruar se bashkëpunimi rajonal është ndër faktorët qendrorë të përpjekjeve të Bashkimit Europian, për të avancuar procesin e reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Këto fonde janë një lajm i mirë, pasi bashkëpunimi rajonal është një element qendror i përpjekjeve të BE-së, për të çuar përpara procesin e reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të ndihmuar rajonin të arrijë zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin politik”, u shpreh Fyle.
Këto fonde do të mbështesin bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare, për të ndihmuar zhvillimin e shoqërisë civile, mbështetjen e projekteve arsimore, programet e studentëve si dhe për të ndihmuar përfituesit (shtetet), në përmbushjen e kërkesave dhe arritjen e standardeve për anëtarësim në BE. Kjo do të plotësojnë financimin e programeve të veçanta kombëtare duke u fokusuar në aspektet rajonale dhe ndihmuar vendet për të mësuar nga përvoja e njëri-tjetrit.
Financimi i ndarë dje, vjen në kuadër të Asistencës së para-aderimit në BE (IPA).
Që nga viti 2007, vendet aspirante për t’iu bashkuar BE-së, kanë përfituar nga fondet e BE-së, përmes një instrumenti të vetëm, atij të IPA-s. Në total fondet e para-anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, arrijnë në 11.5 bilion euro.
IPA përbëhet nga 5 komponentë; ngritja e Institucioneve; bashkëpunimi Ndërkufitar; zhvillimi Rajonal; zhvillimi i Burimeve Njerëzore; zhvillimi Rural. Ekzekutimi dhe alokimi i ndihmës së BE në kuadër të aspistencës IPA, fillon me përcaktimin e objektivave të Komisionit.
Ndërkohë, fondet e BE për Shqipërinë do ishin akoma edhe më fleksible në rast se Shqipëria do kishte marrë sot statusin e vendit kandidat. Refuzimi i statusit për shkak të mosvotimit të 3 ligjeve nga Partia Socialiste, i sjell Shqipërisë çdo vit 30 milionë euro humbje nga fondet e BE.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›