E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Manifestim të madh për të ndryshuar realitetin

Vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim kanë nisur tashmë turin e lajmërimit derë më derë në Tiranë, për pjesëmarrje në manifestimin e madh qytetar që do zhvillohet më 15 Mars, në njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Bashkë me vullnetarët, dje në rrugicat e bllokut "Ali Demi" ishte dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai shfrytëzoi momentin për t‘u bërë një apel të gjithë qytetarëve që ka takuar për të qenë prezent në sheshin "Skënderbej" në orën 18:00. Mes qytetarëve që ka takuar Rama, jo rrallë është ndeshur dhe me problemet e tyre, të çmimit të rritur të jetesës dhe pamundësisë për të përballuar këtë çmim. "Ata të dritave nuk vijnë fare që të shohin sahatin, dhe sjellin fatura të fryra. Dy veta ne, pensionistë, dhe paguajmë 70-80 mijë lekë energjinë. As nuk vjen fare faturistja këtu. Se si është puna, nuk e di. Ne jemi pensionistë, paguajmë për 6 lata dru dhe kur vjen puna, faturistja nuk vjen fare dhe fatura vjen 70 mijë. Si do ia bëjmë nuk di si të them", u shpreh një pensionist, banor i këtij blloku. Kryetari i PS-së u shpreh se manifestimi i madh që do të zhvillohet në kryeqytet është për të gjithë që ndjejnë nevojën se ky realitet duhet të ndryshojë. "Ndaj, ditën e diel duhet të jemi së bashku, për të manifestuar nevojën e të gjithëve për ndryshim, në mënyrë që kostoja e jetës që rritet aforfe çdo muaj, me çmime, me fatura, me sigurinë e jetës, me mungesën e garancisë për të nesërmen, me papunësinë e varfërinë. Të gjitha këto të jenë arsye të mëdha për të qenë bashkë, jo për t‘u ndarë e përçarë. Jo ca këtej e ca andej me flamuj të ndryshëm, me dasi, sherre, grindje, që i ka nxitur politika në 18 vjet", këmbënguli Rama. Në një tjetër ndalesë në këtë lagje tiranase, kryesocialisti është takuar me një mekanik, i cili po ashtu pohoi për mungesën e punës, xhiron e paktë ditore dhe mbijetesën me punën e tij. Rama sqaroi se është në këtë lagje bashkë me vullnetarët për të sensibilizuar të gjithë banorët e saj për të qenë të pranishëm me zërin e tyre në manifestim. "Është njëvjetori i tragjedisë së madhe që ndodhi në Gërdec dhe duam të bëjmë manifestim të madh qytetar, jo partiak. Të gjithë bashkë, parti, shoqata, familje, sipërmarrje për një ndryshim të madh", u shpreh Rama.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›