Meta, takime në Britaninë e Madhe
Kryetari i Lëvizjes për Integrim, Ilir Meta, ka nisur dje një vizitë dyditore në Angli. Në ditën e parë ai është pritur në një takim nga sekretari i Përgjithshëm i Laburistëve, Collins. Në këtë takim, Collins dhe Meta kanë diskutuar gjerësisht për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në vendin tonë. Në bisedën e zhvilluar mes kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, dhe sekretarit të Përgjithshëm të Laburistëve, është folur edhe për bashkëpunimin mes LSI-së dhe Laburistëve, ku dy bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë për thellimin e këtij bashkëpunimi. Gjatë ditës së parë të vizitës së tij në kryeqytetin e Anglisë, Londër, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi takime të rëndësishme edhe në Parlamentin e Britanisë së Madhe. Kështu, Meta është pritur në një takim nga kryetari i Komitetit Evropian, M.Connarty. Edhe në këtë takim është folur për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ku kryetari i Komitetit Evropian, Connarty, u shpreh se këto zgjedhje janë kyçe për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, dy bashkëbiseduesit janë shprehur në një mendje për forcimin e bashkëpunimit midis dy komisioneve. Po sot, kryetari i LSI-së ka zhvilluar një takim edhe me Toni Lloyd, kryetarin e grupit parlamentar të Laburistëve.