BE, 4 milion euro për sistemin shqiptar të adresave
Baza e të dhënave të sistemit të adresave, mbështetur në një hartë digjitale, u prezantua në një ceremoni të mbajtur sot. Kjo bazë të dhënash është krijuar nga Ministria e Brendshme dhe autoritetet vendore, me ndihmën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, nëpërmjet mbështetjes financiare të BE-së.
Ky sistem i ri adresash, me bazë internetin, do të bëjë të mundur regjistrimin e saktë të shtetasve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Gjithashtu, ai mundëson edhe kërkimin elektronik të adresave.
Në prezantimin e kësaj baze të dhënash, ambasadori Helmuth Lohan, kryetari i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, tha: "Modernizimi i sistemit të adresave përbën një hap të rëndësishëm në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike në sektorë si shëndetësia, tatimet, pronat, sigurimet shoqërore, arsimi, shërbimet postare, por edhe në lehtësimin e procedurave gjyqësore dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave. Jam krenar që fondet e BE-së sjellin, nëpërmjet këtij projekti, përfitime të drejtpërdrejta dhe të prekshme për qytetarët e Shqipërisë."
Zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Renate Herrmanns, shtoi: "Shënon një hap përpara drejt standardeve të BE-së. Qytetarët me banim në Shqipëri do të kenë tashmë mundësi të identifikojnë adresat e tyre, ndërsa dhënia e shërbimeve publike bazë mund të përmirësohet, si për shembull përmes marrjes së masave në mënyrë më të shpejtë në raste situatash emergjence."
Gjithashtu, gjatë ceremonisë prezantuese, kryetari i Prezencës, ambasadori Robert Bosch, dhe kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, nënshkruan një marrëveshje për vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve për t'u dhënë mundësi banorëve dhe turistëve të orientohen më mirë në këtë qytet.
BE-ja ka akorduar 2.5 milionë euro për krijimin e sistemit të adresave dhe 1.5 milionë euro për vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve. Që të dyja këto projekte zbatohen nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.