Berisha në Gjermani për kongresin e PPE-ve
Kryeministri Berisha u nis dje për një vizitë dyditore në Bon, në Gjermani, për të marrë pjesë në Kongresin Statutor të Partive Popullore Evropiane, i cili zhvillohet në datat 9-10 dhjetor në World Conference Centre dhe është evenimenti më i madh për PPE-të, që pas qershorit 2009. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha do të jetë pjesëmarrës në aktivitetet dhe seminaret e organizuara nga Qendra për Studimet Evropiane me temë “Domethënia e vitit ’89 - Mësime për shekullin e 21-të”, si dhe në seksionet dhe punimet e kongresit të Partive Popullore Evropiane, gjatë të cilit Kryeministri Berisha do të mbajë dhe një fjalë përshëndetëse. Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të zhvillojë disa takime dypalëshe dhe do të shkëmbejë ide dhe mendime me liderët më të mëdhenj evropianë, pjesëmarrës në këtë kongres, për sfidat me të cilat përballet Evropa sot, në ekonomi dhe pas krizës financiare, si dhe për zhvillimet në Shqipëri e në rajon. Pritet që në aktivitet të jenë pjesëmarrës mbi 1500 delegatë, të cilët do të japin me diskutimet dhe analizat e tyre, një kontribut të rëndësishëm në axhendën politike evropiane, drejt politikave ekonomike të qëndrueshme për kapërcimin e pasojave të krizës ekonomike dhe integrimit evropian të vendeve që e aspirojnë atë.