Mitingu masiv, LSI: Mesazh për Ramën që të braktisë rrugën
LSI-ja i kërkon PS-së dhe kryetarit Edi Rama që mitingun masiv të 8 Dhjetorit ta lexojë si një mesazh të shqiptarëve për të braktisur rrugën për rikthimin në Kuvend. Sipas tij, lidershipi i majtë duhet të reflektojë dhe t’i japë fund bojkotit parlamentar. Zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, përshëndeti dje mitingun e përmasave të jashtëzakonshme si një shprehja më e qartë e vullnetit të shqiptarëve për të vazhduar rrugën e nisur të reformave që i çojnë ata më afër Bashkimit Evropian. “Uroj që gjithkush ta ketë lexuar dhe kuptuar mirë mesazhin e djeshëm, veçanërisht lidershipi i Partisë Socialiste, dhe të reflektojë duke pasur parasysh përgjegjësitë politike dhe institucionale, përgjegjësi që sigurisht nuk kanë të bëjnë as me bojkotin, as me qëndrime destruktive që dëmtojnë sadopak imazhin e vendit, por nuk cenojnë aspak stabilitetin politik e institucional të një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant për anëtar të BE”, - deklaroi z. Haxhinasto. Sipas tij, mesazhi për PS-në për të ndryshuar kursin e saj politik, për ta zhvendosur luftën dhe debatin politik nga rruga në Parlament, u dha shumë i qartë edhe gjatë punimeve të kongresit të 8-të të Partisë së Socialistëve Evropianë, ku mori pjesë edhe LSI-ja me një delegacion të kryesuar nga kryetari i saj, Ilir Meta. Pyetjes së gazetarëve nëse ka pasur ndonjë rezolutë nga Partitë Socialiste Evropiane ku të theksohej zgjidhja e krizës dhe hapja e kutive, zv.kryetari i LSI-së iu përgjigj se nuk ka pasur asnjë rezolutë, asnjë raport, asnjë deklaratë e cila të bëjë një kërkesë të tillë. Ndërkohë që pyetjes se përse nuk kishte flamuj të LSI-së gjatë mitingut, ndërsa të pranishëm ishin drejtues të lartë të LSI-së, Haxhinasto iu përgjigj: “Dje ka qenë një miting i vullnetit të shqiptarëve për të konfirmuar rrugën e nisur nga Shqipëria dhe besoj që vullneti i shqiptarëve është shumë i rëndësishëm se çdo flamur partiak i çdo partie. Prezenca e z. Prifti është përfaqësuese mjaft e mirë e LSI-së”.