E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Mëhilli: Rama mburret me krimet e të atit



PD-ja përmes zëdhënëses Erla Mëhilli denoncoi dje në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, kryetarin e opozitës, Edi Rama, duke e quajtur atë si strumbullarin e korrupsionit në Shqipëri. PD-ja e akuzoi më tej Ramën edhe si të vetmin njeri që vazhdon të mburret me krimet e të atit. Mëhilli në emër të PD-së u bëri thirrje të gjitha autoriteteve shtetërore, të rrisin transparencën dhe të japin kontributin e tyre në luftën kundër këtij kanceri të vërtetë. “Partia Demokratike gjithashtu denoncon Edvin Kristaq Ramën, njeriun që për 9 vite rresht i mohoi atësinë dhe kafshatën e gojës djalit të tij, si strumbullarin e korrupsionit në Shqipëri. Njeriun që ka shndërruar Bashkinë e Tiranës në simbolin e shëmtuar të korrupsionit në Shqipëri dhe në botë”, - tha zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Sipas saj, në këtë bashki, 70% e lejeve të ndërtimit merren nga Rama, Shkreli, ndërkohë që vetëm për “qytezën Rama-Delijorgji” u dhanë leje ndërtimi për 52 pallate. “Mbi 500.000 m2 troje publike dhe përvetësime të trojeve private, u morën nga kupola e mafies së Tiranës, 5 deputetë të Partisë Socialiste dhe tre kocka të tjera mafioze. Ndërkohë që për të tjerët, për të marrë një leje ndërtimi, duke iu referuar raportit të Bankës Botërore, në Tiranë duhen 399 ditë, duke e renditur kështu Bashkinë e Tiranës në një nga tri bashkitë më të korruptuara në botë për lejet e ndërtimit. Edvin Kristaq Rama, që mburret me krimet e të atit, është i vetmi kryetar bashkie në botë, që, për të ndërtuar pallatet e tij, u bllokon rrugën qytetarëve në qendër të qytetit, i devijon lumin qytetit dhe përvetëson qindra mijëra metra katrorë prona publike për të fryrë kontot e tij dhe të mafies që kryeson”, - përfundoi znj. Mëhilli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›