E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, 42 bursa për studentë kosovarë

Gjithsej 42 studentë të diplomuar nga Kosova, nga muaji tetor, do të vazhdojnë studimet post-diplomike në universitetet e përzgjedhura të Bashkimit Evropian, me bursa të financuara nga BE-ja.

Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian dhe Ministria e Integrimeve Evropiane kanë prezantuar të martën gjeneratën e shtatë të përfituesve kosovarë të bursave të Skemës së Celulës së të Rinjve.

Përfituesit e bursës së Skemës së Celulës së të Rinjve për 2010 do të trajnohen në tema në sektorë specifik, sikurse që është e Drejta e BE-së, ekonomia, energjia dhe ambienti, veterinaria dhe siguria e ushqimit, si dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore.

Kjo skemë e bursave është realizuar me sukses që prej krijimit të saj në 2004 dhe deri më tash janë dhënë 177 bursa. Duke e përkrahur këtë program, BE-ja kontribuon në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve kosovare. Pas përfundimit të studimeve post-diplomike në universitete të ndryshme të BE-së, studentët kthehen të punojnë në shërbimin publik të Kosovës duke sjell me vete ekspertizën specifike në një sektor.

Në përpjekjet për ta ndihmuar administratën e Kosovës që të përafrohet me standardet evropiane, programi i bursave veçon kurse post-diplomike në përputhje me nevojat e tanishme të qeverisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›