E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: 4.5 bilionë euro vendeve që synojnë anëtarësimin

Komisioni Evropian ka përfunduar miratimin e planit strategjik të ndihmës financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, vende që aspirojnë anëtarësimin në këtë organizëm. Plani është për periudhën 2008-2010 dhe shuma e akorduar për këto vende, ku përfshihet dhe Shqipëria, është 4.471 bilionë euro. Për herë të parë në këtë plan asistence përfshihet dhe shteti më i ri i Ballkanit, Kosova, pavarësinë e të cilës e kanë njohur tashmë pothuajse të gjitha vendet e BE-së. Siç bëhet e ditur nga një deklaratë zyrtare në faqen e Bashkimit Evropian komisioneri i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, tha se “rruga për në BE kalon përmes reformave për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe përmbushur kriteret strikte të BE-së”. Sipas tij, progresi në këtë rrugë nuk do të vlerësohet vetëm nga vullneti politik, por dhe nga përpjekjet financiare. Ai e cilësoi substanciale kontributin e Komisionit për të mbështetur këto reforma. Pjesa e asistencës që i takon Shqipërisë është bërë publike tashmë nga përfaqësuesit e KE-së në Tiranë para disa ditësh dhe bëhet fjalë për 245.1 milionë euro që do të shkojnë kryesisht për ndërtimin e shtetit ligjor dhe një pjesë e vogël në menaxhimin e kufijve.

Plani i asistencës së KE-së, 2008-2010 Kroacia 451.4 milionë euro Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë 244.3 milionë euro Turqia 1758.8 milionë euro Shqipëria 245.1 milionë euro Bosnja dhe Hercegovina 269.9 milionë euro Mali i Zi 99.9 milionë euro Serbia 584.4 milionë euro Kosova 359.1 milionë euro Programi për interesat e gjera 458.4 milionë euro TOTAL 2008-2010 4471.3 bilionë euro

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›