Neritan Ceka, nënkryetar i ri i Kuvendit
Pas shumë vitesh shkëputjeje, Neritan Ceka rikthehet në Partinë Demokratike, tashmë i pozicionuar si nënkryetari i ri i Parlamentit. Kryeministri Sali Berisha i ka besuar atij një prej posteve kyçe në qeverisjen e djathtë, atë të nënkryetarit të Parlamentit. Kandidatura e aleancistit Ceka është propozuar nga grupi parlamentar i PD-së për të plotësuar vendin vakant të Fatos Bejës. Posti i tij ka mbetur bosh prej dy muajsh, që nga zgjedhja e Bejës në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Fillimisht u fol për emrin e kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, si zëvendës i Bejës të cilin e refuzoi. Më pas qarkulloi kandidatura e deputetit demokrat Leonard Demi, po për të cilin u tha se nuk e pranoi, ndërkohë që vendimi për emrin e Neritan Cekës u mor dje pak çaste para mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së gjatë një takimi mes Kryeministrit Berisha, kryetares së Kuvendit, Topalli dhe kryetarit të grupit parlamentar, Astrit Patozi në selinë e Kryesisë së Kuvendit. Vetë z. Ceka dje nuk e mohoi për “standard” zgjedhjen e tij në postin e nënkryetarit të Kuvendit, por ka refuzuar të pranojë se ky vendim është një largim nga aleanca e majtë dhe një afrim më koalicionin e djathtë në prag të zgjedhjeve të reja të përgjithshme. Gjithsesi, Neritan Ceka tashmë është njëri nga dy zëvendësit e kryetares Jozefina Topalli, madje i propozuar nga Partia Demokratike. Kryeministri Sali Berisha kishte paralajmëruar prej kohësh një aleancë të mundshme me aleancistin Neritan Ceka, madje duke pohuar publikisht se do të qeverisë bashkë me të. Sinjalet e para u dhanë gjatë votimit në Kuvend të zgjedhjes së kryetarit të ri të shtetit, z. Bamir Topi, ku garimi i Neritan Cekës pothuajse ishte vendimtar në konkretizimin e kandidaturës së Topit në krye të Presidencës 14 muaj më parë. Që nga ajo periudhë u duk një përfarim qëndrimesh mes demokratëve dhe kreut të PAD-së, çka solli dhe një pështjellim në radhët e koalicionit të majtë. Por duket se largimi nga posti i nënkryetarit të Kuvendit të Fatos Bejës, i dha mundësinë më të mirë PD-së për të rehabilituar njërin nga ish-themeluesit e saj, z. Neritan Ceka. Pas shkëputjes së tij nga PD-ja, Ceka krijoi Partinë Aleanca Demokratike, e cila në të shumtën e kohës ka qenë një aleate e afërt e së majtës shqiptare. Por me afrimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, PAD-ja duket qartë se do të ndryshojë pozicionin e saj politik, duke u orientuar djathtas dhe në një koalicion të pritshëm me aleancën qeverisës.