BE: Abstenimi do të jetë përgjigjja ndaj nismës serbe
Bashkimi Evropian mund ta abstenojë kërkesën e Serbisë për të dërguar çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës për gjykim në Hagë. Një ditë më parë parë, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç u kërkoi vendeve anëtare të OKB-së, që të përkrahin kërkesën e vendit të tij, duke e vlerësuar shpalljen e pavarësisë si sfidë për sistemin e OKB-së dhe nënkupton se shtetet anëtare mund të ndahen kundër vullnetit të tyre. Ministri i Jashtëm i Finlandës, Alexander Stubb, tha se mënyra më e mirë për pozicion të përbashkët të vendeve të BE-së është abstenimi ndaj propozimit serb. Por, Stubb, i cili është edhe kryesues i OSBE-së, tha se vendi i tij nuk do të votojë kundër nismës serbe. "Kemi pasur diskutime të zgjeruara në mesin e ministrave të Jashtëm të BE-së, se çfarë do të duhet të bëjmë lidhur me nismën serbe. Kuptohet, janë tre opsione: të votojmë kundër saj, të votojmë për të dhe të abstenojmë. Pozicioni finlandez është shumë i qartë: ne nuk do të votojmë kundër", citon BBC. "Ne i mbështesim të gjitha gjykatat ndërkombëtare dhe do të ishte kundër parimeve tona që t'ia mohojmë Serbisë këtë të drejtë. Nëse duam të kemi pozicion të përbashkët të BE-së, mënyra e vetme për ta bërë këtë është përmes abstenimit", tha Stubb. Edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini është shprehur pro abstenimit lidhur me nismën serbe në Kombet e Bashkuara. "Ne e respektojmë vendimin e autoriteteve serbe që të kërkohet mendim nga Gjykata Ndërkombëtare, por ne do të duhet të vendosim në nivel të BE-së për këtë çështje shumë të rëndësishme, dhe të arrijmë qëndrim të përbashkët të Bashkimit Evropian. Qëndrimi im personal është në favor të abstenimit, por ne do t'i vazhdojmë diskutimet rreth kësaj", tha Frattini. Presidentja e Finlandës, Tarja Halonen vlerësoi se "Në qoftë se rasti i Kosovës nuk është tërësisht i përsosur, atëherë situata në Gjeorgji me Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë janë shumë, shumë më pak të përsosura", tha presidentja Halonen. Tadiç ka deklaruar se rasti i Kosovës është i "klonuar" në duzina raste të tjera, duke theksuar se njohja e mëtejshme e pavarësisë së Kosovës do të sjellë destabilizim të thellë në vendet me rajone separatiste në botë. Komuniteti ndërkombëtar ka argumentuar se pavarësia e Kosovës, e cila është njohur nga 47 vende, përfshirë SHBA dhe pjesën më të madhe të BE-së, është një rast unik dhe nuk mund të shërbejë si shembull për lëvizjet e tjera që mund të dëshirojnë ta ndjekin atë. Serbia ka nevojë për maxhoritetin e Asamblesë së Përgjithshme për të kaluar rezolutën e saj që çështja e pavarësisë të shkojë për gjykim në Hagë. Megjithatë SHBA dhe disa vende të mëdha të BE e kanë paralajmëruar Serbinë se nisma e saj nuk është e mirëpritur.