E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Kongresi skeptik për planin financiar të qeverisë

 

Kongresi amerikan ka treguar mjaft skepticizëm lidhur me planin e administratës Bush, për të investuar 700 miliardë dollarë nga fondi i shteteve, për sigurinë e industrisë amerikane në këtë kohë krize. Presidenti Bush pret miratimin e këtij plani nga kongresi për të nisur menjëherë zbatimin e tij. Plani lindi pas falimentimit të dy prej gjigantëve të financës në SHBA, "Lehman Brothers" dhe "Merril", gjatë javës së kaluar. Por plani i shpëtimit financiar i ofruar nga administrata e presidentit amerikan Bush, ka hasur në opozitë të fuqishme në Kongres. Gjatë një seance në Komisionin e Senatit për Sistemin Bankar,  udhëheqësi republikan dhe ai demokrat, shprehën skepticizëm. Sipas BBC, kreu i Komisionit, demokrati Chris Dodd, e cilësoi planin të papranueshëm. Por edhe kreu i grupit të republikanëve Richard Shelby, tha se nuk do ta vinte vulën në të. Plani, i hartuar nga autoritetet pas krizës financiare, është investimi më i madh i llojit të vet në historinë e SHBA. Ai parashikon krijimin e një fondi në vlerë 700 miliardë dollarë për të ndihmuar institucionet financiare në vështirësi. Presidenti Xhorxh Bush dhe kreu i Rezervës Federale, Ben Bernanke, bashkë me sekretarin për Thesarin, Henry Paulson, i ka bërë thirrje Kongresit, që ta miratojë sa më shpejt planin. Por si demokratët, ashtu edhe vetë republikanët, po i kërkojnë qeverisë amerikane që të sigurojë, se plani nuk do të ndihmonte institucionet financiare të Wall Street-it, në kurriz të taksapaguesve amerikanë. Ndërsa dy kandidatët presidencialë, Xhon Mekein dhe Barak Obama kanë lënë të kuptohet se e mbështesin planin me rezerva, duke kërkuar garanci për të pa e hedhur poshtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›