Laç, digjen kontejnerët e kishës ortodokse
LAÇ - Një zjarr në rrethana misterioze ka përfshirë dje një prej konteinerëve të vendosur në qendër të Laçit nga kisha ortodokse. Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar i vunë zjarrin një kontejneri, i cili ishte vendosur nga Kisha Ortodokse Shqiptare, në lulishten e qytetit, për të shërbyer si pikë nisje për ndërtimin e një kishe. Mësohet se kisha ortodokse kishte blerë tre dynym tokë që prej vitit 1993 për ngritjen e objektit të kultit. Përfaqësues të kishës kishin sjellë në vendin ku do të bënin ndërtimin e godinës dy kontejnerë. Më pas do fillonte investimi për ngritjen e kishës. Por ndërtimi në atë vend nuk ishte lejuar dhe vazhdon të mos miratohet nga ana e KRRT-së së Bashkisë Laç. Ndërsa dy kontejnerët vazhdonin të zinin sipërfaqen e lulishtes, që prej viti 1993, njëri prej tyre dje u përfshi nga flakët. Me gjithë ndërhyrjen e shpejtë të zjarrfikësve të Kurbinit, njëri prej tyre doli jashtë funksionit. Policia bëri të ditur se nisi hetimin për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të zjarrvënies. r.n