Shtyhet greva e doganierëve, dhjetëra maune me ushqime në kufi
KAPSHTICE/ KAKAVIJE - Dje në orën 07:00, pikërisht në momentin që Policia Kufitare priste të rifillonte puna në sportelet doganore greke, i erdhi lajmi se sindikata e doganierëve grekë e përshkallëzonte protestën edhe 48 orë të tjera. Ndërsa doganierët grekë janë në pritje të reagimit të qëndrimit nga qeveria e tyre për kërkesat ekonomike që i kanë paraqitur, kanë filluar të ndihen dukshëm pasojat e grevës jo vetëm në territorin shqiptar, por edhe atë grek. Mosfillimi i punës pas dy ditësh bllokimi në këtë pikë doganore është pritur me alarm në mjediset e të dyja doganave. Në doganën shqiptare të Kapshticës ishin dhjetëra mjete të të gjitha tonazheve në radhën e pritjes për të kaluar në tokën greke, mbasi nuk kishin asnjë njoftim se greva do të vazhdonte sërish. Mjetet e vogla kur mësuan se greva shtyhej të paktën edhe për 48 orë u larguan duke u kthyer pas. Ndërsa mjetet e mëdha, kamionët e maunet e ngarkuar me mallra të ndryshme e ambalazhe u parkuan në parkingun e doganës. Të bllokuara mbetën dhe autobusët, por udhëtarët kanë zbritur duke kaluar në këmbë kufirin. Në mbrëmje, rruga drejt kufirit ishte pushtuar nga 60 kamionë e maune. Nuk është më e lehtë situata në thellësi të tokës greke, ku burime policore kanë bërë të ditur që presin rreth 50 kamionë e maune, një pjesë e të cilave të ngarkuara edhe me fruta e perime. Biznesmenët e këtyre ngarkesave dje shpreheshin të shqetësuar nga fakti se rrezikohet që prodhimet e tyre, të mësuara me temperaturën e frigoriferëve të mëdhenj të fillojnë të prishen. Edhe më i madh ishte shqetësimi i tyre kur mësuan se pala greke nuk është shprehur e sigurt se greva do të përfundojë pas kalimit të 48 orëve të dyta të saj. Nërkohë që në pikën kufitare të Kakavijës, situata ka qenë më pak e rëndë. Për shkak të lajmërimit të bërë tri ditë më parë për bllokimin e aktivitetit zhdoganues në pjesën greke, në Kakavijë dje nuk janë hasur radhë në automjete të transportit të mallrave apo dhe të udhëtarëve. Ardhjet spontane të mjeteve me destinacion shtetin fqinj, nuk kanë formuar radhë, por janë rikthyer pas, sapo kanë mësuar për vazhdimin e grevës. Dhënia e shpërblimit prej 1500 eurosh që merret nga çdo doganier në çdo fundviti në Greqi është pamundësuar nga ana e ekzekutivit helen, duke shkaktuar një bllokim total të punës në të gjitha pikat doganore ajrore, detare dhe tokësore. j.gj/p.n