Berisha, në Itali për projektet energjetike
Takimet
Një tjetër takim pritet të zhvillohet sot mes Kryeministrit Berisha dhe Berluskonit, dhe sërish qëllimi do të jetë sektori energjetik. Konfirmimi vjen nga takimi i zhvilluar dje mes Berishës dhe ministrit italian të Ekonomisë, Klaudio Skajola, në Pallatin e Prefekturës së Veronës, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Në këtë takim u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë. Ministri italian i Ekonomisë, Skajola, ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme. Mbështetja e qeverisë italiane ndaj këtyre projekteve është e padiskutueshme, si edhe mbështetja për projektin e linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri–Itali, tha ai. Skajola i vuri në dukje Kryeministrit se ai dhe qeveria italiane janë të impresionuar me sukseset e ekonomisë shqiptare, në kushtet e krizës globale. Kryeministri Berisha i shprehu edhe njëherë ministrit Skajola ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj, pasi ofrohet me kosto të ulët për popullsinë dhe ekonominë. Kryeministri theksoi se mbështetja e projekteve italiane në fushën e energjisë hidrike dhe të erës, nëpërmjet garancisë financiare nga Instituti Italian për Garantimin e Investimeve të Huaja, për këto projekte, do të përshpejtojë financimin dhe implementimin e tyre. Skajola i shprehu sigurinë se takimi i Kryeministrit Berisha me Kryeministrin Berluskoni dhe firmosja e marrëveshjeve dypalëshe, do të kurorëzojë bashkëpunimin dhe do të garantojë suksesin e strategjive të të dy qeverive në fushën e energjisë.
#