BE, Basha: Me Presidencën çeke po fiksojmë datën e aplikimit
Me Presidencën çeke, Shqipëria po fikson datën e aplikimit për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Këtë e bëri dje të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, gjatë takimit që zhvilloi me Trojkën Evropiane, e cila përshëndeti progresin e dukshëm të Shqipërisë dhe vlerësoi reformat integruese të qeverisë “Berisha”. Ministri Basha konfirmoi aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE brenda Presidencës çeke, ndërsa mori nga Brukseli mbështetje edhe për liberalizmin e vizave. Takimi vjetor Shqipëri - Trojka e BE-së, u bë në kuadër të dialogut politik Shqipëri - BE. Trojka përbëhej nga ministrat e Punëve të Jashtme të Presidencës aktuale dhe asaj të ardhshme, respektivisht, ministri çek, Karl Shvarcenberg dhe ai suedez Karl Bild, si dhe Pier Mirel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Rober Kuper, drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në Sekretariatin e Këshillit Evropian. Delegacioni shqiptar kryesohej nga ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha. Ky ishte takimi i fundit në këtë kuadër, pasi me hyrjen së shpejti në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me BE-në, dialogu Shqipëri - BE do të strukturoret në forma më të ngushta bashkëpunimi. Me këtë rast, të dyja palët shprehën kënaqësinë për kalimin në një fazë më të avancuar e intensive bashkëpunimi në të ardhmen. “Aplikimi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë janë dy prioritetet kryesore të Shqipërisë në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në”, - theksoi ministri Basha në fillim të takimit me Trojkën Evropiane. Zhvillimet e brendshme në Shqipëri, reforma zgjedhore, përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit, çështje që lidhen me MSA-në dhe hyrjen e saj së shpejti në fuqi, përgatitja e të gjithë infrastrukturës së nevojshme për kalimin në një fazë të re të bashkëpunimit me BE-në dhe zhvillimet rajonale e roli i Shqipërisë në rajon ishin temat për të cilat u shkëmbyen informacione nga të dyja palët dhe për të cilat u ra dakord të vijojë bashkëpunimi i ngushtë në të ardhmen. Ministri Basha informoi në lidhje me të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe Parlamenti shqiptar në harkun kohor prej progres-raportit të fundit e deri tani, si dhe përgatitjeve për zgjedhjet e 28 qershorit, duke u ndalur në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, në mënyrë të veçantë të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike për qytetarët shqiptarë. Z. Basha u ndal gjithashtu në rezultatet e konsoliduara në luftën me tolerancë zero të qeverisë shqiptare ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, duke e ilustruar këtë edhe me raportet më të fundit të institucioneve ndërkombëtare si Transparency International, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe agjencisë përkatëse të Kombeve të Bashkuara. Më tej, ai bëri një ekspoze të zhvillimeve ekonomike, mbështetur edhe në raportet më të fundit të institucioneve më prestigjioze ndërkombëtare, të cilat vlerësojnë pozitivisht arritjet dhe perspektivat e ekonomisë shqiptare. Ministrat Shvarcenberg e Bild dhe Drejtori Mirel vlerësuan qartazi të gjitha reformat dhe zhvillimet në Shqipëri. Trojka përshëndeti progresin e dukshëm të arritur në të gjitha fushat, si dhe vlerësoi vullnetin e qeverisë për të adresuar me vendosmëri të gjitha çështjet për të cilat ka nevojë për përparim të mëtejshëm, duke premtuar gjithashtu asistencë e mbështetje të vazhdueshme në procesin e integrimit. Z. Basha dhe ministrat Shvarcenberg dhe Bild, si dhe përfaqësuesit e Komisionit, ranë dakord të koordinojnë ngushtë të gjitha veprimet e mëtejshme dhe bashkëpunimin e Shqipërisë me BE-në në kuadër të procesit të integrimit evropian, përfshi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE brenda Presidencës çeke, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Pasi vlerësuan rolin e Shqipërisë në rajon, si faktor paqeje, stabiliteti e moderacioni, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria ka ndërtuar me fqinjët, përfaqësuesit e Trojkës dëgjuan me mjaft interes analizën e ministrit Basha për zhvillimet në rajon në përgjithësi dhe ato që lidhen me Kosovën e Maqedoninë në veçanti.