E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Në bujqësi punojnë 569 mijë persona



INSTAT ka sqaruar se të punësuarit në bujqësi janë 569 mijë persona. INSTAT ka reaguar pas botimit të një shkrimi në një të përditshme shqiptare, ku aludohej se qeveria “ka vetëpunësuar” 26.500 fshatarë. Sipas INSTAT, të dhënat

kanë pasaktësi të mëdha në lidhje me statistikat e të punësuarve. Në artikull thuhet se “Instituti i Statistikave ndryshoi së fundmi statistikat e të punësuarve në sektorin bujqësor, duke shtuar numrin e shqiptarëve të deklaruar "të vetëpunësuar në bujqësi" me afro 27 mijë vetë. INSTAT sqaron se statistikat e reja tregojnë se plot 569 mijë shqiptarë punojnë në bujqësi, ndërsa më herët ky numër qe i pandryshuar në 542 mijë”. INSTAT sqaron se shifra 542 mijë të punësuar në sektorin bujqësor, e cila është njëlloj deri në tremujorin e parë 2008, ka burim Anketën e Nivelit të Jetesës të vitit 2005 dhe prandaj mbetet e pandryshuar deri në këtë periudhë, pasi të dhënat për të punësuarit në këtë sektor nxirren vetëm nëpërmjet anketave. Duke qenë se më pas INSTAT ka realizuar Anketën e Forcave të Punës gjatë vitit 2007, e cila është e specializuar për treguesit e punësimit, rezultoi që ky numër është 568.549 mijë nga 542 që ishte matja e vitit 2005. Numri i të punësuarve në sektorin e bujqësisë nuk bazohet në sistemin statistikor kombëtar, siç pretendon gazeta, por në definicionet e Eurostat. Sipas këtij definicioni, i punësuar quhet ai person, i cili ka kryer një punë dhe është shpërblyer gjatë javës referuese. Sipas Eurostat, personat që punojnë në sektorin bujqësor nuk bëjnë përjashtim nga ky definicion dhe këtu futen, jo vetëm ata që e shesin prodhimin e tyre në treg, por dhe ata që e vetëkonsumojnë atë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›