Në emër të Berishës
Nga Nebil Çika
Shumë njerëz çuditen pse gjithçka që ndodh në këtë vend (sidomos për keq) në të shumtën e rasteve i faturohet Kryeministrit, njëherazi edhe kryetar i PD-së, Sali Berishës. Personalisht jam i bindur që ky është një abuzim prodhim politiko-mediatik i opozitës, por sidomos i koniunkturave të brendshme në PD. Ka disa shembuj me të cilët mund të konkretizohet ky fenomen, por dua të përqendrohemi tek zgjedhjet e brendshme në PD, ku në emër të Berishës, individë apo edhe grupe interesi po përpiqen të realizojnë në mënyrë krejt të pandershme qëllimet dhe synimet e tyre politike e më gjerë.
Si rast specifik po marr rastin e zgjedhjeve të PD-së në rrethin e Fierit ku rastësia më ka qëlluar ta njoh mirë procesin, por edhe prapaskenat që po e shoqërojnë atë. Për nga rëndësia politike dhe elektorale Fieri është i dyti pas Tiranës për shkak të 16 mandateve parlamentare që do të dalin nga ky qark në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për këtë arsye zgjedhjet në PD kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe medias, duke i kapërcyer dukshëm kufijtë e një zhvillimi të brendshëm partiak. Rëndësia publike e zgjedhjeve në PD-në e Fierit, sidomos e kreut të saj, është rritur dukshëm edhe për shkak të përvojës së pakëndshme në drejtimin e degës në këto 3 vite të fundit.
Aktulisht, PD-ja e Fierit drejtohet nga Ferdinand Murati, rezident në Kanada (ku i jeton aktualisht edhe familja) që u kthye në Shqipëri pas fitores së PD-së në 2005-n vetëm pak ditë para se të zgjidhej kryetar i degës. Zgjedhja e tij ishte më tepër një emërim, pasi kandidati rival u detyrua të tërhiqej pas një skeme mashtrimi në emër të Berishës nga ana e të dërguarit të atëhershëm qendror të PD-së dhe kryetari aktual “fitoi” zgjedhjet në PD si kandidat i vetëm.
Duke shkelur çdo normë të funksionimit të PD-së dhe marrëveshje, ai kandidoi i vetëm për kryetar të Bashkisë së Fierit ku garantoi me sukses një nga humbjet me spektakolare të PD-së në zgjedhjet lokale. Gjatë drejtimit të tij, PD-ja lokale u drejtua sipas interesave klienteliste, duke shmangur çdo formë të përcaktuar me statut gjë që e ka kthyer PD-në e Fierit në një biznes privat të kryetarit dhe miqve të tij. Kjo bëri që PD-së Fierit t’i largoheshin jo vetëm intelektualët dhe qytetarët, por edhe shumë nga militantët dhe themeluesit, gjë që mund të verifikohet e të konstatohet lehtësisht. Fillimi i procesit të ri zgjedhor në PD ngjalli tek militantët, intelektualët dhe qytetarët e Fierit shpresën për ndryshim.
Të bindur se PD-ja e Fierit nuk e meriton batakun ku është futur padrejtësisht, ata morën pjesë në procesin zgjedhor, duke ofruar një “standard” të admirueshëm burimesh njerëzore që edhe PD-së, edhe Fierit nuk i kanë munguar kurrë. Mirëpo duket se angazhimi, por edhe shpresa për ndryshim po kërcënohen sërish nga përpjekja e lidershipit lokal, por edhe e të dërguarve të qendrës për të ruajtur statuskuonë që në rrethet e anëtarëve, simpatizantëve, por edhe qytetarëve fierakë po përjetohet si vetëvrasje politike.
Për të penguar një zhvillim kaq regresiv aktivistë të spikatur u munduan të bindnin grupin e punës të drejtuar nga Sokol Olldashi për ndryshimin, por nuk mund të pretendohet se arritën ndonjë sukses. Të ndodhur përballë intrazigjencës së të dërguarve nga lart rreth 90% të kryetarëve dhe sekretarëve të zgjedhur të seksioneve, që përbëjnë të njëjtën masë të delegatëve në konferencën e rrethit, firmosën një peticion drejtuar Kryesisë së PD-së, ku kërkojnë moskandidimin e kryetarit aktual, duke argumentuar arsyet e këtij peticioni referendar, ku primare ishte klima e konfliktualitetit që mbizotëron në degën e PD-së. Pritej natyrisht një përgjigje pozitive. Fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu!
Të dërguarit kërkuan sqarime, ndërkohë që kryetari dhe mbështetësit e tij reaguan dhunshëm në dy incidente që provuan se firmëtarët e peticionit kishin të drejtë. Incidenti i parë ndodhi në mbledhjen e kryesisë ku “badigardi” i kryetarit kërcënoi me armë një anëtar kryesie dhe kandidat rival (incident i regjistruar edhe nga policia lokale) dhe incidenti i dytë, më i rëndë, ndodhi në prani edhe të kryetarit të grupit të punës, Sokol Olldashi, ku grupi i kryetarit aktual të PD-së së Fierit sulmoi dhe u përlesh fizikisht madje dhe me armë, me kandidatin rival dhe mbështetësit e tij në një lokal pranë selisë së degës së PD-së në Fier. Më keq nuk kishte ku shkonte!
Tani të gjithë ishin të bindur se qendra do të reflektonte dhe kërkesa referendare e strukturave dhe mbështetësve të PD-së do të merrej parasysh. Mirëpo vetëm momentet e para u duk vërtet kështu. Por duket se realiteti në Fier vjen në Tiranë “i filtruar” në sita interesash natyrisht jo vetëm politike, jo të PD-së dhe emri tashmë i diskretituar i kryetarit përflitet sërish si mundësi rikandidimi, të paktën kështu rezulton nga informacionet konfidenciale të grupit të punës dhe pretendimeve të kryetarit Murati dhe mbështetësve të tij. Por jo vetëm kaq.
Të vënë përballë realitetit, të dërguarit nga Tirana nxjerrin si arsye të kësaj mundësie kryetarin Berisha, duke e paraqitur këtë handikap si vullnet politik të tij. Kryetari dhe mbështetësit shkojnë edhe më larg. Ata shantazhojnë kundërshtarët dhe delegatët, duke pretenduar si suport më shumë se politik, familjarët e Kryeministrit në një fushatë presioni që synon imponimin me dhunë të rizgjedhjes së tij.
Pra, siç e shikoni, zgjedhjet e PD-së në Fier janë futur në një qorrsokak me pasoja për të ardhmen elektorale të PD-së në Fier e më gjerë.
Nuk është hera e parë që PD-ja ndodhet në situata të tilla, por ajo që duket se “qelbet” në këtë moment delikat, është pa dyshim faturimi tek Sali Berisha i një prapaskene më shumë se politike. Por në Fier shpresojnë ende, pasi zgjedhjet për kryetar të PD-së priten të zhvillohen në fillim të muajit mars. Ata presin që ndryshimi që PD-ja po përdor si slogan elektoral, “Shqipëria po ndryshon”, të konkretizohet duke filluar nga vetvetja. Përfaqësues dinjitozë të PD-së në Fier kanë paralajmëruar të dërguarit nga Tirana se ruajtja e statuskuosë dhe imponimi i kandidaturës së kundërshtuar në mënyrë referendare, mund të çojë në dështimin e konferencës, pa llogaritur këtu katastrofën elektorale që mund të sjellë një qëndrim i tillë.
Këto që thamë, janë vetëm një pjesë e asaj që po ndodh me PD-në e Fierit, rëndësia e së cilës në zgjedhjet parlamentare është rritur ndjeshëm. Kjo situatë mund të verifikohet lehtësisht dhe pavarësisht nga ngarkesa e jashtëzakonshme e aktivitetit qeverisës nuk duhet të ngelet jashtë vëmendjes së z. Berisha edhe për faktin se në emër të tij po bllokohet, injorohet dhe nëpërkëmbet vullneti politik i shumicës së strukturave dhe mbështetësve të PD-së në Fier, ndërkohë që respektimi i tij përbën bazën e suksesit të ardhshëm elektoral në qarkun e dytë më të madh të vendit. PD-ja e Fierit, me gjithë vështirësitë e këtij momenti, ka ofruar kandidatura potenciale, intelektuale e qytetare, të afta për ta rifituar besimin e tronditur të elektoratit fierak. Siç po shkon situata, Fieri tani ka nevojë më shumë se kurrë për vëmendjen e Berishës.