Topalli: Pas NATO-s, prioritet, integrimi në BE
Pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria konsideron prioritet të saj integrimin në Bashkimin Evropian. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është e bindur se pas ratifikimit të MSA-së dhe Protokollit të Anëtarësimit në NATO, Shqipëria ndodhet në një fillim të ri. Ajo mori dje garancinë e shtetit grek përmes kryetarit të grupit parlamentar të miqësisë Greqi - Shqipëri, z. Georgios Tryfonidis: "Do të jemi krah jush partnerë edhe në BE". Nga ana e saj, Topalli u shpreh: “Në këtë fazë, shkëmbimi i përvojës mes parlamenteve është shumë i rëndësishëm, ndaj dhe ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Greqisë si një vend partner". Sipas saj: "Tashmë, pas NATO-s, prioriteti ynë është integrimi evropian dhe lëvizja e lirë e qytetarëve". Nga ana e tij, z. Tryfonidis shprehu kënaqësinë që ndodhej për vizitë në Shqipëri pas ratifikimit nga Parlamenti i Greqisë i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. "Tashmë, pas përfundimit të këtij procesi, unë ndihem shumë i lumtur që së shpejti Shqipëria do të jetë pjesë e NATO-s dhe që në këtë pjesë të Evropës stabilizohet demokracia", - tha z. Tryfonidis.