BE: Centralet nukleare në Shqipëri, variant i vjetër
Lëvizja Rinore për Integrim informon eurodeputetë dhe zyrtarë të lartë në Këshillin e Bashkimit Evropian lidhur me situatën e fundit politike në vend për sa i përket miratimit të Kodit të ri Zgjedhor. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të LSI-së, sekretari i përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha, ka zhvilluar takime me personalitete të shumta evropiane, me disa europarlamentarë dhe drejtues të Këshillit të Bashkimit Evropian, të cilët kujdesen për çështjet e zgjerimit të BE. "Ai ka informuar me detaje dhe u ka dorëzuar materialet përkatëse informuese në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe Kodin e ri Zgjedhor. Të gjithë e kanë vlerësuar informacionin dhe janë shprehur se zgjedhjet e vitit 2009 në Shqipëri janë shumë të rëndësishme dhe se nëse ato nuk do të ishin të lira dhe të ndershme, kjo do ta linte Shqipërinë mbrapa në procesin e integrimit evropian", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të LSI-së. Në takimin që ka patur me zv.kryetarin e Komitetit të Ambientit në Parlamentin Europian, Magor Csibi, Pesha e ka informuar mbi marrëveshjen e fundit midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë italiane për ndërtimin e centraleve atomike dhe ka kërkuar opinionin e tij mbi këtë çështje. Zoti Csibi ka theksuar se energjia nukleare është një variant i vjetër i prodhimit të energjisë, i cili nuk siguron vazhdueshmëri afatgjatë dhe sjell probleme mjedisore. Ai e theksoi si negative iniciativën për sa kohë që nuk ka një strategji afatmesme dhe afatgjatë për prodhimin e energjisë dhe për kalimin në sistemin e energjisë riprodhuese. Gjithashtu, ai tha se duhet një plan konkret dhe i hartuar nga ekspertë të mirëfilltë për heqjen e mbeturinave nukleare në rast se ky projekt do të miratohej. Pesha ka takuar, ndër të tjerë, edhe europarlamentaren Doris Pack, Zv.Kryetarin e Komitetit të Ambientit në Parlamentin Evropian, Magor Csibi, Administratorin e Komitetit të Rajoneve, Branislav Stanicek, një nga funksionarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës për çështjet e zgjerimit, Fernando Alonso dhe dhjetëra europarlamentarë dhe funksionarë të tjerë të rëndësishëm të BE-së.