Misteri, zhduket prej pesë ditësh tregtari nga Elbasani
ELBASAN / ALDO KOZARIA
Zhduket në rrethana ende misterioze tregtari nga Elbasani. Prej pesë ditësh, Hekuran Latollari është larguar nga banesa e tij dhe nuk është kthyer më. Familjarët kanë dhënë alarmin në polici, por megjithë kërkimet, ende nuk rezulton asnjë gjurmë e tij. Sipas policisë, 44-vjeçari nga lagjja "Syrja Dylgjeri" punonte pranë tregut industrial prej dhjetë vitesh. Familjarët e tij deponuan në polici se ata nuk kishin dijeni të ndonjë problemi financiar, borxhi apo konflikt të mëparshëm të tij me ndokënd. Të premten paradite mësohet se ai ka dalë nga shtëpia, duke i thënë gruas dhe dy fëmijëve se do të shkonte për një vizitë te vëllai i tij, Ferdinand Latollari. Por, prej asaj dite ai nuk është kthyer më në banesë dhe as ka komunikuar me familjen e tij. Policia e Elbasanit, pasi mori të dhënat e para, nisi kërkimet për tregtarin e veshmbathjeve. Ata pyetën edhe shokë të tij, të cilët mësohet se janë shprehur se e kishin parë Latollarin ditën e zhdukjes së tij në afërsi të Bashkisë së Elbasanit. Më pas ai është parë teksa hipte në një autobus urban. Ky ka qenë edhe momenti i fundit kur është parë biznesmeni, zhdukja e të cilit ka vënë në alarm familjen dhe policinë e Elbasanit. Sipas dëshmive të familjes, ai nuk kishte probleme apo borxhe, ndërsa kishte vite që ushtronte tregtinë e veshëmbathjeve pranë tregut industrial. Burime zyrtare të policisë së Elbasanit bënë të ditur se ka nisur hetimi për gjetjen e 44-vjeçarit, emri i të cilit tashmë është shënuar në listën e të humburve, pas denoncimit që kanë bërë familjarët e tij. Mësohet se policia veç kësaj është duke hetuar të gjitha lidhjet e tij me biznesmenë të qytetit të Elbasanit por dhe më tej, në Tiranë, aty ku ai furnizohej me mall. Deri më tani janë shoqëruar për t'u marrë në pyetje dhe kolegë të tregtarit, të cilët mund të kenë dijeni në lidhje me zhdukjen e mistershme të tij, që nga dita e premte e javës së shkuar. Policia ka nisur edhe verifikimin e tabulateve të telefonit të tij, për të nxjerrë numrat me të cilët 44-vjeçari ka komunikuar ditën e zhdukjes. Sipas burimeve, ngjarja po hetohet në disa pista, ku nuk përjashtohen konfliktet apo borxhet e mundshme.