BE: E kemi planin e shpëtimit
Qeveritë evropiane janë zotuar, se do të mbrojnë çdo institucion të madh financiar nga falimentimi dhe do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e bankave pranë falimentimit. Kjo ishte deklarata e përbashkët pas samitit të Parisit të liderëve të 15 vendeve të eurozonës. “Qeveritë mbeten të angazhuara të evitojnë çdo falimentim të institucioneve relevante, nëpërmjet mjeteve të nevojshme përfshirë edhe rikapitalizimin”, thuhet në deklaratë. “Në realizimin e kësaj ne do të jemi shumë të vëmendshëm përsa i përket interesave të taksapaguesve dhe i sigurojmë aksionarët ekzistues dhe ruajtjen e menaxhimit gjatë ndërhyrjes. Kapitalet e emergjencës që do t’i jepen institucioneve do të ndiqen nga një plan ristrukturimi”, thuhet në deklaratë. Pesëmbëdhjetë vendet e eurozonës kanë vendosur në minisamitin e tyre në Paris se do të garantojnë hua të reja afatmesme ndërmjet bankave private, me qëllimin për të kapërcyer ngërçin e krediteve. Kështu u vendos pas takimit të Parisit mbi krizën financiare. Por oferta evropiane për të garantuar rifinancimin e bankave do të limitohet deri në fund të vitit të ardhshëm, sipas një marrëveshjeje drafti nën diskutim të dielën në samitin e 15 liderëve të eurozonës në Paris. “Skema do të jetë e limituar në sasi, e përkohshme dhe do të aplikohet nën vëzhgimin e hollësishëm të autoriteteve financiare, deri më 31 dhjetor 2009”, thuhet në deklaratën e samitit, sipas AFP. Udhëheqësit e 15 vendeve të eurozonës u mblodhën në Paris për bisedime urgjente rreth krijimit të një strategjie të përbashkët për t’u përballur me krizën financiare globale. Ministrja e Financave në Francës, Christine Lagarde, premtoi se takimi i Parisit do të konkretizonte hollësitë e planit të rënë dakord më herët nga 7 vendet më të industrializuara. Udhëheqësit shqyrtuan planin e stilit britanik për shtetëzime të pjesshme të bankave. Në takim ishte i ftuar edhe kryeministri britanik Gordon Braun, i cili gjatë një fjalimi iu bëri thirrje liderëve evropianë të miratojnë ‘planin britanik të shpëtimit”.