Fier, zjarr në Park,digjen 9 autobusë
FIER - Një zjarr i fuqishëm në parkun e mallrave në dalje të Fierit ka shkrumbuar 9 autobusë të linjave ndërqytetëse. Flakët e para janë konstatuar rreth orës 22:00 të mbrëmjes, fillimisht në një autobus, por brenda një kohe të shkurtër janë pushtuar dhe të tjerët. Parku ndodhet në pjesën që lidh qytetin e Fierit me Patosin, pranë të cilit ndodhen dhe dhjetëra banesa. Alarmi i dhënë ka çuar në vendngjarje mjete zjarrfikëse të Fierit dhe të Lushnjës, duke u munduar që të izolojnë flakët nga mjetet e tjera. Ndërkohë, grupe të tjera nga policia kanë evakuuar banorët që jetojnë më afër zonës së pushtuar nga zjarri. Rrezik u bënë serbatorët e karburanteve të mjeteve, të cilat shpërthyen bashkë me urbanët. Mësohet se ato i përkisnin linjave që lidhin qytetin e Fierit me komunat dhe qytetet e tjera pranë. Policia nuk raportoi ndonjë person të lënduar, ndërsa dëmet janë të mëdha. Ende nuk dihet shkaku i zjarrvënies, pasi i tërë përqendrimi është mbi shuarjen e flakëve. Të dhënat e para flasin për dy pista: një zjarrvënie e qëllimshme, për shkak të konkurrencës ose një ngjarje aksidentale, pas marrjes flakë të njërit prej mjeteve e më pas shpërndarjen e tij në mjetet e tjera. Brenda në park ndodheshin dhe 15 autobusë të tjerë. m.r