Misteri, zbulohet pranë portit trupi i 44-vjeçarit
DURRES/ OERD ULQINI
Kufoma e një 44-vjeçari që u gjet dje në afërsi të murit rrethues të portit të Durrësit, alarmoi policinë. Janë dashur disa orë deri në identifikimin e viktimës, ndërkohë që motivi i kësaj ngjarjeje mbetet ende i mistershëm. Burime të policisë bënë të ditur se Rrahman Hyka, baba i tre fëmijëve është gjetur i mbytur në breg të detit, përgjatë shëtitores “Taulantia”. Kufoma është parë nga banorët që në orët e para të mëngjesit. Punonjës të kufirit mbërritën menjëherë nga deti me motoskaf, ndërsa një skuadër tjetër, pjesë e grupit të gatshëm është gjendur brenda pak minutash në shëtitore. Trupi i pajetë u gjet 15 metra larg bregut, afër murit të portit. Policia nisi hetimet për ngjarjen në disa pista, pasi fillimisht u dyshua për ndonjë vrasje. Por kjo pistë u zbeh më vonë, pasi u krye autopsia ligjore në morgun e qytetit. Ende nuk është dhënë ndonjë version përfundimtar për shkaqet e kësaj ngjarjeje, por sipas policisë, pas ekspertizës së kryer rezultoi se 44-vjeçari nuk kishte shenja dhune. Blutë po hetojnë edhe për vdekjen natyrale nga të ftohtët. Dyshohet se viktima ka rrëshqitur në shkëmbinjtë, që ndodheshin në vendin e ngjarjes dhe kontakti i menjëhershëm me ujin e ftohtë të detit i ka shkaktuar atij vdekjen. Mësohet se Hyka jetonte në ish-Kënetë pasi ishte shpërngulur para shumë vitesh nga Gramshi. Sipas familjarëve, ai nuk kishte asnjë hasmëri dhe nuk vuante nga asnjë sëmundje, ndërkohë që hedhin poshtë edhe versionin e vetëflijimit. Ata deponuan në polici se ai kishte dalë nga shtëpia rreth orës 06:00 për një shëtitje. Viktima ishte i veshur me kostum, çka vërteton dyshimin e policisë në versionin e shëtitjes. “Një pistë mund të jetë rrëshqitja e papritur në det dhe humbja e jetës si pasojë e impaktit të shpejtë me ujin e ftohtë”, bënë të ditur burime të policisë, të cilët gjithsesi për momentin e konsiderojnë misterioze vdekjen e 44-vjeçarit. Në të njëjtin vend, afro 6 muaj më parë humbën jetën dy fëmijë nga periferia e Tiranës. Ngjarja u klasifikua nga policia si mbytje aksidentale. Për ngjarjen e djeshme, policia po heton në të gjitha drejtimet e mundshme, ndonëse sipas të dhënave të para edhe kjo ngjarje duket, se është shkaktuar nga pakujdesia e të ecurit mbi shkëmbinj.