E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i Urologjisë, vjen për herë të parë në Shqipëri

 

ZIRINA LLAMBRO

Metodat më të avancuara të kirurgjisë së veshkave dhe prostatës. Këto do të jenë pikat kyçe të referimeve në Kongresin ndërkombëtar të Urologjisë. Pas Serbisë, Greqisë dhe Bosnjës për herë të parë ai do të mbahet në vendin tonë. Datat 17 dhe 18 tetor sjellin rreth 250 specialistë të fushës nga vendet e Evropës Lindore e Perëndimore. Të ftuar janë edhe mjekët shqiptarë më në zë, pa përjashtuar brezin e ri të bluzave të bardha. “Kongresi i Urologjisë është një event i përvitshëm me rëndësi madhore për mjekësinë në përgjithësi, por mbi të gjitha për urologët. I organizuar nga shoqata evropiane e urologjisë, me anë të tij shkëmbehen eksperiencat mes ekspertëve më të njohur të fushës. Por ndërkaq është edhe një iniciativë e rëndësishme, sidomos për brezin e ri të mjekëve”, sqaron profesor Flamur Tartari, kreu i shoqatës së urologjisë në vendin tonë, por edhe organizatori kryesor i këtij kongresi. Ai shton se, pjesëmarrja e sekretarit të Përgjithshëm e të Shoqatës Evropiane, Michael Marberger dhe e mjekëve të njohur urologë deri nga Australia, dëshmon për risitë që sillen në këtë fushë. Sipas Tartarit, gjatë kongresit do të ketë edhe 17 referime nga mjekë shqiptarë për t’i bërë një ekspoze prevalencës së sëmundshmërisë në vendin tonë, si dhe rasteve të veçanta që kanë marrë trajtim. “Punimet janë botuar edhe në revistën evropiane të urologjisë. Çka shënon një hap përpara në drejtim të kërkimit shkencor prej bluzave të bardha. Gjithashtu ne si shoqatë e urologjisë po botojmë edhe një revistë të veçantë, me të gjithë materialin e kongresit ku do të përmblidhen informacionet shëndetësore, intervistat me urologët më në zë dhe metodat më të reja të trajtimit”, shprehet Tartari. Në ambientet e hotel “Tirana Internacional”, ku do të mbahet kongresi, do të ekspozohen edhe dy aparatura mjaft të rëndësishme. Për fat të keq njëra prej tyre (litotripi që shkrin gurët në veshka) ka 4 vjet që është jashtë funksionit në spitalin “Nënë Tereza”, ndërsa aparatura që realizon ndërhyrje në prostatë pa pasur nevojë për operacion nuk ekziston fare. “Këto dy aparatura do të ekspozohen gjatë ditëve që do të mbahet kongresi. Ka ardhur koha që edhe spitalet tona të sigurojnë këtë teknologji, e cila lehtëson mjaft pacientët që vuajnë nga veshkat dhe prostata”, thekson profesor Tartari.

Veshkat, 1 në 10 shqiptarë i sëmurë

Një në dhjetë shqiptarë ka probleme me veshkat. Kjo për shkak të mungesës së diagnostikimit të hershëm dhe pasojë e neglizhencës të një sërë sëmundjesh, të cilat dëmtojnë ato. Sipas mjekëve, të rinjtë duhet të kryejnë pas moshës 20 vjeç analizën për nivelin e albuminës për të evituar këto probleme. Ndërsa gratë shtatzëna duhet ta bëjnë një gjë të tillë të paktën një herë në 3 muaj. Icidenca e sëmundjes është në rritje vit pas viti, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë. Në 80% të rasteve të sëmurët paraqiten atëherë kur janë në gjendje të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›