Eqerem Çabej, ky dijetar e kritik i gjuhës shqipe
Prof. Shaban Demiraj
Kur përmendet emri i Eqerem Çabejit, në përgjithësi përfytyrohet një gjuhëtar i madh, që ka punuar me zell të jashtëzakonshëm për gjuhën shqipe. E një përfytyrim i tillë, në thelb, është i saktë, sepse ndihmesat më të mëdha dhe më të shumta ky shkencëtar i përmasave evropiane i ka dhënë pikërisht në fushën e studimit të gjuhës shqipe dhe të historisë së saj..., por do të ishte e pasaktë të mendohej që interesat e tij shkencore kanë qenë të kufizuara vetëm në çështje të ndryshme të gjuhës shqipe dhe sidomos të historisë së saj. Ai është interesuar vazhdimisht për gjithçka që kishte të bënte me kulturën e popullit të vet. Madje, shkrimi i tij i parë i botuar në 1929, ku ai ishte njëzet vjeç djalë, mban titullin “Poezia e Lasgush Poradecit”, ku bëhet një analizë e bukur e krijimtarisë së atij mjeshtri të rrallë të poezisë shqipe. Përpjekje të mëdha ky dijetar i përqendroi në fushën e hulumtimeve gjuhësore, ku pati dhe arritjet e dukshme, sidomos pas vitit 1945. Por edhe në këtë fushë interesat shkencore të këtij dijetari i kalojnë kufijtë e albanologjisë, në kuptimin e ngushë të këtij termi. Sa herë ka qenë e nevojshme ai faktet e shqipes i ka krahasuar me ato të gjuhëve të tjera të Ballkanit e më gjerë. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe me një shkencëtar të këtij kalibri, për të cilin studimet albanologjike nuk mund të mendoheshin të shkëputura nga ballkanistika dhe indoevropianistika. Ndihmesat e tij të shumta nëpërmjet artikujve shkencorë nëpër revista të specializuara me emër brenda dhe jashtë Shqipërisë për probleme të ballkanologjisë e sidomos për dukuritë e përbashkëta gjuhësore midis shqipes dhe rumanishtes, dëshmojnë qartë se ai ishte një ndër përfaqësuesit më të shquar edhe të studimeve ballkanologjike. Duke i hedhur një sy veprimtarisë krijuese të Eqerem Çabejt, nuk mund të mos vëresh se gjatë tërë jetës së tij ka mbizotëruar interesimi i tij i pandërprerë për probleme të albanologjisë në përgjithësi dhe të historisë së gjuhës shqipe në veçanti. Një gjë e tillë bie në sy edhe para vitit 1945, kur atij iu desh të merrej ndër të tjera edhe me punë pedagogjike në shkollat e mesme të Shqipërisë. Por ai iu përkushtua tërësisht studimit dhe zgjidhjes së problemeve të albanologjisë në përgjithësi dhe studimeve etimologjike në fushë të shqipes në veçanti, pas vitit 1945 kur u caktua të punonte më parë në ish-Institutin e Shkencave e më pas në Institutin e Gjuhësisë e të letërsisë në Tiranë. Në këtë mënyrë me gjithë vështirësitë e kuptueshme të asaj periudhe kohore, atij iu krijuan kushtet më të përshtatshme për t’ju përkushtuar më tepër realizimit të ëndrrës së tij, që në atë periudhë u shndërrua për të edhe në detyrim moral për të rigjallëruar përpjekjet për studimet albanologjike, që në rrethanat pas Luftës së Dytë Botërore nuk mund të zhvilloheshin më tej, madje nuk mund të thuhet se po merrnin të tatëpjetën në Evropën e pasluftës. Një pjesë e mirë e albanologëve të huaj ishin plakur ose merreshin me të tjera studime shkencore kur N. Jokli ishte zhdukur tragjikisht nga nazistët. Evropa dhe bota e pasluftës kishin probleme të tjera madhore për të zgjidhur, prandaj dhe gjuhëtarët e huaj që u morën me probleme të albanologjisë pas vitit 1945 ishin të kufizuar dhe për më tepër nuk ishin të kalibrit Meyer, Pedersenit, Joklit, etj.
* * *
Në rrethanat e krijuara pas Luftës së II Botërore, u takonte vetë gjuhëtarëve shqiptarë që të merreshin me problemet e gjuhës së tyre. Koha tregoi se përsa u takon problemeve të mprehta dhe aq të diskutueshme të albanologjisë ndër të gjithë ata shkëlqyen shpejt gjuhëtari i diplomuar në Universitetin e Vjenës, dr. Eqerem Çabej. Ishte e natyrshme që ky shkencëtar i talentuar t’i përkushtohej studimit dhe hulumtimit të problemeve të gjuhës shqipe e sidomos historisë së saj. Madje, kur ai është marrë me çështje të letërsisë e folklorit, sa herë që i është dhënë rasti nuk ka ngurruar të bëjë edhe vërejtje gjuhësore me interes. E ky “ngacmim i brendshëm”, bie në sy qysh kur ai ishte ende student në Vjenë. Kështu në një letër që Çabej i dërgoi indoevropianistit të madh danez, Holger Pederseni, pasi kishte lexuar veprën e tij, me titullin “Albanesische texte mit glosar” të vitit 1895 i shkruante atij se fjala shkalata, që ndeshej në përrallat çame të mbledhura prej tij, ishte një fjalë e përngjitur nga shprehja shkle ata (= ç’qe ata). Dhe Pederseni në përgjigjen e tij të datës 23 janar 1932, pasi e falënderonte i shkruante: Padyshim që keni plotësisht të drejtë”. E përmend këtë rast për të vënë në dukje jo vetëm “atë ngacmim të brendshëm” për gjuhën shqipe që e ka shoqëruar Eqerem Çabejn gjatë tërë jetës, por edhe talentin e spikatur të këtij dijetari që filloi të shfaqej tek ai që në moshë të re. Sigurisht një talent i tillë shpjegohet jo vetëm me zgjuarsinë e tij natyrore të rrallë, por edhe me punën e madhe studimore, për ta ushqyer e zhvilluar gjithnjë e më shumë kulturën e vet. E për punën sistematike, studimore e hulumtuese të këtij dijetari të shquar dëshmojnë më së miri vargu i madh i veprave, monografive, kumtesave të mbajtura nëpër tubime shkencore kombëtare e ndërkombëtare, si dhe i artikujve të shumtë shkencorë të botuar jo vetëm në viset ku bukës i thonë bukë e ujit ujë, por edhe nëpër revista shkencore ndërkombëtare me emër. Natyrisht Çabej nuk punoi në një arë të palëvruar më parë ndër shqiptarët. Bij të tjerë të shquar të këtij trualli ishin Konstandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, etj., që kishin punuar me zell e dashuri për zhvillimin e kulturës dhe të shkencës shqiptare. Një punë të mirë në këtë drejtim kishin bërë edhe disa studiues nga arbëreshët e Italisë si Dhimitër Kamarda, Marko La Piana etj., por me veprimtarinë e shumanshme të Çabejt, e sidomos me ndihmesat e tij aq të çmuara në fushën e historisë së gjuhës shqipe, kulturat dhe gjuhësia shqiptare morën një zhvillim të tillë që e ngritën atë në nivelin bashkëkohor evropian.
* * *
Vargu i madh i punimeve shkencore të Çabejt, që do të ishte pa dyshim dhe më i madh sikur vdekja e pamëshirshme të mos e kishte rrëmbyer në kulmin e veprimtarisë së tij krijuese, ngërthen një tematikë të gjerë e të larmishme nga fusha të ndryshme të albanologjisë e ballkanologjisë. (Por tashmë është e qartë për të gjithë se kryet e vendit në krijimtarinë e pasur të këtij dijetari të madh e zënë studimet e tij gjuhësore, ndërmjet të cilave ka dhënë ndihmesa me vlerë jo vetëm për studimet etimologjike, për fonetikën dhe historinë e kësaj gjuhe dhe për prejardhjen e popullit shqiptar, si dhe për problemet e ndryshme të ballkanologjisë e sidomos bashkëpërkimet e shqipes me rumanishten. Një shërbim të madh i bëri albanologjisë edhe me transliterimin, transkriptimin mjeshtëror dhe botimin e veprës së Gjon Buzukut, së cilës ai iu përkushtua me një punë disavjeçare dhe me një zell të admirueshëm. E mund të pohohet pa mëdyshje se metoda e argumentimit shkencor me një qëndrim objektiv në shpjegimin e fakteve konkrete dhe të dukurive të hulumtuara ka qenë një nga faktorët vendimtarë, që i dhanë mundësi këtij shkencëtari të talentuar të arrinte suksese të njëpasnjëshme në punime e tij të shumta dhe aq të rëndësishme. Ai ishte shumë kërkues ndaj vetes në punën e krijimtarisë shkencore. E një kërkesë të tillë e kishte dhe ndaj të tjerëve.
* * *
Falë përgatitjes së tij të gjithanshme dhe punës këmbëngulëse si dhe metodës së tij bashkëkohore evropiane Eqerem Çabej arriti të sqaronte se mjaft fjalë të shqipes që më parë mbaheshin si huazime, janë fjalë të trashëguara ose të përftuara brenda vetë shqipes si bërthamë: bërryl, bishtajë, bjeshkë, bluaj, bollë, borë etj. Madje, me objektivitetin e tij ai nuk ngurroi që të korrigjonte dhe mjaft etimologji të tjera, duke pranuar si huazime disa fjalë të konsideruara më parë si fjalë vendi, kur kështu dilte nga hulumtimi etimologjik i tyre si: i aftë, bagëti, binjak, borigë, mashën, nofull, perëndi etj., por një çështje ku ai tregoi interesim të veçantë ishte ajo e prejardhjes së gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Duke marrë shkas nga disa dijetarë të huaj si Ëeidant, Goergievi etj., që mendon se të parët e shqiptarëve kishin shtegtuar në trojet e sotme nga viset lindore të Ballkanit, duke mbrojtur kështu origjinën trakase apo dako-mize të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, Çabej parashtroi një varg argumentesh që provonin autoktoninë e hershme të të parëve tanë në brigjet lindore të Adriatikut e Jonit.
(Marrë me shkurtime nga kumtesa në sesionin shkencor organizuar dy ditë më parë në Pallatin e Kongreseve)