E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplaset makina me fadromën, dy vdesin

 

KORÇE – Dy gra humbën jetën në një aksident të rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën nacionale Korçë-Pogradec. Ngjarja u shënua rreth orës 19:50, në afërsi të fshatit Lumalas. Një “Benz” me targë KO 46 43 B u përplas fatalisht me një fadromë të firmës që po ndërton rrugën. Sipas policisë, vetura e drejtuar nga Ymerli Xhemollari, ku udhëtonin dhe e shoqja e kunata, Aishe dhe Tefta Xhemollari, 45 dhe 24 vjeçe, po lëvizte nga komuna e Pirgut në drejtim të Korçës. Në afërsi të Lumalasit, “Benz”-i ka tentuar të parakalojë një makinë, por në kushtet e errësirës nuk ka mundur të dallojë në kohë fadromën që ecte në drejtim të kundërt me të. Për pasojë, përplasja mes tyre ka qenë shumë e fortë. Një prej grave mësohet se ka gjetur vdekjen në vend, ndërsa tjetra bashkë me shoferin e makinës kanë përfunduar në spital në gjendje të rëndë. Mjekët e Korçës kanë pohuar pak më vonë dhe humbjen e jetës së vajzës së re. Në vendngjarje kanë shkuar forca policie, të cilat pritet që vetëm sot të japin konkluzionet e sakta për shkaqet e aksidentit. Ndërkohë, dy drejtuesit e mjeteve po japin shpjegime para grupit hetimor.                         j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›