Barroso: Evropa do koordinim ‘të paprecedent’
Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso tha të dielën se qeveritë evropiane duhet të nisin një bashkëpunim të paprecedent për të gjetur një rrugëzgjidhje mbi krizën financiare. “Komisioni Evropian ka bërë thirrje prej kohësh për të thelluar koordinimin e politikës ekonomike brenda zonës euro. Tashmë ne na duhet një bashkëpunim e koordinim në nivel të paprecedentë për t’ia dalë mbanë me këtë krizë të paprecedentë”, tha Barroso në një deklaratë para samitit të 15 vendeve të eurozonës. Samiti i Parisit shihet si shansi i fundit për të përpiluar një paketë të koordinuar mbi shpëtimin e bankave përpara rihapjes të hënën, të tregjeve të shkëmbimit dhe bursave në panik. Dy javë pas falimentimit të gjigandit amerikan “Lehman Brothers”, aksionet në të gjithë botën ranë dhe qeveritë rreth globit po marrin masa të dëshpëruara për t’i dhënë një përgjigje krizës së kredive.