Një komision i ri parlamentar ndaj kryeprokurores do na njollosë të gjithëve
Intervistë me ish-ministrin e Drejtësisë, Spiro Peçi
Ka patur debate të ashpra në parlament pas sulmeve të fundit të qeverisë ndaj prokurorisë. Çfarë do të thoshit rreth kësaj përplasjeje?
Ka patur një përplasje mes përfaqësuesve të qeverisë, ose më mirë të mazhorancës, me disa deputetë të opozitës në lidhje me çështjen që diskutohet sot për veprimet e prokurorisë ndaj shtetasit Fazlliç. Gjëja më e mirë që mund të bënte qeveria në këtë situatë është të heshtnin dhe të mos krijonin përplasje me prokurorinë, sepse janë përplasje, të cilat në vetvete janë të kundërligjshme, por kam përshtypjen se implikojnë akoma më shumë mazhorancën dhe në veçanti qeverinë.
Përplasjet mes prokurorisë dhe qeverisë fillojnë atëherë kur parlamenti filloi të shqyrtojë çështjen e heqjes së imunitetit të Mediut. Ka patur dhe një shqetësim ndërkombëtar, se Topalli i kërkoi disa herë Prokurores së Përgjithshme të orientojë pistën e hetimeve tek ushtarakët. A mendoni se kjo ka qenë një përplasje e qeverisë me prokurorinë?
Në këto raste nuk mund të gjykosh dhe të analizosh një rast të veçantë. Në qoftë se do të analizonim qëndrimin e zonjës Topalli, duke dhënë orientime se çfarë duhet të bëjë dhe të mos bëjë organi i prokurorisë, për një moment mund të mendohej se kemi të bëjmë me një padijeni dhe mungesë të kulturës juridike të zonjës Topalli apo varianti tjetër, ndoshta më zbutës, i një qëndrimi politik ndaj qeverisjes. Për mendimin tim nuk kemi të bëjmë me asnjë nga këto raste, por kemi të bëjmë me koncepte që nuk janë vetëm te kryetarja e Kuvendit, por fatkeqësisht janë te lidershipi i sotëm që qeveris vendin. Nuk mund të shpjegohet ndryshe, jo vetëm kërkesa e zonjës Topalli, por gjithë qëndrimet dhe deklaratat që janë bërë nga ministrat e kësaj qeverie, siç është rasti i ministrit të Drejtësisë, ai i ministrit të Punëve të Brendshme. Qëndrime të tilla ngrenë kokë sa herë që interesat janë jo thjesht interesa politike.
Kundërshtarët e zotit Berisha thonë se ai po përpiqet të penalizojë prokurorinë, për shkak se, siç kanë thënë dhe ekspertët amerikanë, hetimi për Gërdecin mund të ketë përfundime tronditëse për qeverinë, ose ngaqë problemet me Fazlliç mund të shkaktojnë probleme familjare te kryeministri Berisha. Mendoni se penalizimi i kësaj prokurorie, ndryshe nga penalizimi që i bëhej prokurorisë së Sollakut, bëhet për interesa më personale?
Përpara se t’i përgjigjem pyetjes, e mira është të sqarojmë se cilat janë mëkatet e prokurorisë sot. Çfarë ka bërë prokuroria që të goditet në këtë mënyrë?
Në qoftë se do t’i referohemi Kushtetutës dhe ligjeve del më se e qartë se organi i vetëm që ushtron ndjekjen penale në Republikën e Shqipërisë është prokuroria. Ajo e ushtron ndjekjen penale edhe me përjashtim të rasteve kur ndjekja penale ndaj një individi kërkon një autorizim të posaçëm, siç është rasti i personave me imunitet, rastet kur është i dëmtuar ai që mund të vërë në lëvizje një çështje penale.
Ndërsa për rastet e tjera, sa herë që prokuroria vihet në dijeni, qoftë dhe nga shtypi, dhe siguron të dhëna të tilla, siç është dyshimi për çështjen që po flitet shumë, kemi veprime të prokurorisë, veprime që kanë të bëjnë me thirrjen e një individi për atë çka akuzohet dhe mund të merret si i pandehur nesër. Këto janë veprime shumë të ligjshme të prokurorisë.
U bë debati sot, pati diskutime dhe u akuzua rëndë prokuroria, sepse ka vënë dorë në një biznes dhe se po sekuestron materiale dhe akte, ndoshta dhe llogari, të cilat, sipas tyre, pengojnë veprimtarinë e një biznesi dhe krijojnë një imazh shumë të keq për nxitjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Por, për mua, të gjitha këto janë llafe bosh dhe janë qëndrime që bien në kundërshtim me ligjin, pasi Kushtetuta ia ka dhënë këtë të drejtë prokurorisë.
Siç thashë më parë, qeveria duhet të heshtë, pasi Kushtetuta jonë i jep të drejtën kujtdo shtetasi që të mbrohet ndaj veprimeve të prokurorisë dhe mbrojtja nuk bëhet nëpërmjet qeverisë, por mbrojtjen duhet ta bëjë me anë të avokatit dhe madje të kundërshtojë dhe kërkesën, dhe akuzat e prokurorisë, dhe jo të dalë qeveria në mbrojtje të një individi, duke abuzuar kështu me idenë se këtu po shkatërrohet imazhi i mirë që është për Shqipërinë për investimet e shtetasve të huaj. Edhe Fazlliç është subjekt i së drejtës tregtare shqiptare dhe nuk mund të ketë asnjë privilegj më shumë se një shtetas shqiptar që ushtron një aktivitet biznesi dhe si i tillë ai është i detyruar t’iu nënshtrohet të gjitha ligjeve.
Berisha ka bërë një propozim për ngritjen e një komisioni hetimi parlamentar për të hetuar raportet mes prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Çfarë ka për të rregulluar në këtë mes dhe a është ligjore një nismë e tillë?
Në radhë të parë unë nuk e di çfarë ideje ka hedhur zoti Berisha, se më duket një ide apo një mendim që nuk zgjidh asnjë gjë dhe nuk është në përputhje me ligjet dhe nuk mund të jetë komisioni që do të rregullojë marrëdhëniet mes prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ajo që do të thoja është që marrëdhëniet e këtyre dy institucioneve janë të rregulluara me ligj.
Cilat janë kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë dhe cili është aksesi i saj ndaj prokurorisë? Ministria e Drejtësisë ka një detyrim që çdo tremujor të parë të çdo viti t’i përcjellë ministrit të Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme se cilat janë shqetësimet e qeverisë në drejtim të luftës ndaj krimit në vendin tonë.
E drejta e Ministrisë së Drejtësisë është vetëm kontrolli ndaj çështjeve që janë arkivuar dhe janë dy kategori çështjesh: ato që janë të pushuara dhe ato të pezulluara.
A ka rrezik që ta njollosë kryeprokuroren një komision hetimi?
Unë mendoj se një komision hetimor nuk do të njollosë kryeprokuroren, por do të njollosë mazhorancën dhe mbi të gjithë, ne parlamentarët. U morëm dy vjet me Sollakun dhe tani të merremi dhe dy të tjerë me prokurorinë dhe të harrojmë problemet e tjera që janë për t’u zgjidhur nga ky parlament.
A ka ndonjë shkelje mbi fletëthirrjen për zotin Fazlliç?
Ka një çështje penale, zyrtarisht të pranuar nga prokuroria dhe nuk vihet në dyshim.
E dyta, nga momenti që regjistrohet një çështje penale, prokurori ka të drejtë të fillojë veprimet sipas Kodit të Procedurës. Një nga këto është dhe e drejta për të njoftuar me anë të postës ose në mënyrë verbale në rastet e emergjencës. Është e drejtë e atij që thirret që ta kundërshtojë dhe të verifikojë, nëse është e vërtetë që ai që e ka kërkuar, është një prokuror. Në këtë vështrim unë nuk shoh të ketë shkelje nga prokuroria. Të mos harrojmë që ne ndeshemi përditë me shkelje nga më flagrantet nga policia dhe organe të tjera të ekzekutivit.
Deklarata e kryeministrit Berisha ka qenë ajo për hetim ndërkombëtar, nëse Fazlliç ka përfituar nga pasuritë publike dhe fondet publike të shqiptarëve. ǒkuptim ka kjo dhe në çfarë rrethanash mund të bëhet?
Abuzohet shumë me fjalën hetim ndërkombëtar. Ka patur një praktikë më parë dhe nuk mund ta quaj hetim, por ndihmë ndërkombëtare për të hetuar çështje konkrete. Nuk është hetim ndërkombëtar dhe nuk është qeveria ajo që vendos se si do të bëhet hetimi.
Le të marrë vendim sa të dojë qeveria për të atashuar grup hetimi ndërkombëtar, prokuroria nuk është e detyruar t’i marrë dhe t’i përfshijë. Prokuroria mund të marrë ekspertë në fusha të caktuara, që efektivisht mungojnë në vend, atëherë ajo mund të marrë një ekspert, i cili i vjen në ndihmë.
Ky është Prokurori i tretë i Përgjithshëm me të cilin Berisha futet në konflikt. Çfarë kostoje politike mund të ketë kjo për kryeministrin?
Koston politike e ka marrë që në momentin që ndërkombëtarët mbajtën qëndrim të ashpër dhe të prerë për këto ndërhyrje në prokurori. Kostoja është e mbartur që në momentin që nuk respektohen parimet bazë, ato të ndarjes së pushteteve.
Kemi një mbështetje konstante të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e prokurorisë dhe në çdo konflikt ambasadori amerikan ka qenë kundër qeverisë. A është kjo një linjë e qeverisë për të mposhtur pushtetin gjyqësor apo është një përpjekje për të forcuar autoritetin e prokurorisë?
Kur një ambasador i huaj bën një deklaratë, nuk ma do mendja që nuk jep alarmin më të madh, sepse këtu cenohet një nga parimet më të rëndësishme të një shteti ligjor.
E njihni Ina Ramën personalisht?
Po, e njoh. Ina Rama ka të gjitha shanset që të tregojë se realisht është e zonja të përballet me presionet. Unë do të thoja, të mos përballesh me presionin, do të thotë të shkelësh ligjin.