Dëshmia e Taçit për rrahjen e Bazes
Trazhgim Sokolaj
Biznesmeni Rezart Taçi ka mohuar, në dëshminë e tij dhënë para Gjykatës së Tiranës, të ketë ushtruar dhunë ndaj gazetarit Mero Baze, ndërsa ka pranuar faktin se shtetasi Irgen Selfo është përleshur me botuesin e gazetës "Tema". Një javë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në zonën e ish-bllokut në Tiranë, mësohet se në deklarimet e tij të dhëna në rrugë gjyqësore, pronari i kompanisë "Taçi Oil" ka dhënë detaje të panjohura më parë për ngjarjen. Rezart Taçi fillimisht ka sqaruar se versioni sipas të cilit ai ka qenë në tavolinë me shtetasit Irgen Selfo dhe Bledar Lilo, të cilët ushtruan dhunë ndaj Mero Bazes, nuk është i saktë. Biznesmeni ka pranuar në deklarimet e tij, se ka qenë i pranishëm në lokalin ku ndodhi ngjarja, por në një tavolinë tjetër me disa persona të tjerë. Pra, sipas dëshmisë së sipërmarrësit 38-vjeçar, ai nuk ka qenë në tavolinë me dy personat që u denoncuan si bodigardë të tij. Nga hetimet ka rezultuar se në të vërtetë, asnjëri nga dy të arrestuarit nga policia, pra as Irgen Selfo dhe as Bledar Lilo, nuk janë truproja të biznesmenit. Sipas hetimit gjyqësor, njëri prej tyre është punonjës i departamentit të Shitjeve në kompaninë "Taçi Oil", ndërsa tjetri është i punësuar shofer në këtë sektor. Konkretisht Bledar Bardhyl Lilo, 28 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues Tiranë, është me detyrë punonjës i kompanisë "Taçi Oil" në sektorin e shitjeve ndërsa Irgen Arjan Selfo, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, është shofer në këtë departament.
Prekja e Mero Bazes
Në dëshminë e tij dhënë para gjykatës, Rezart Taçi ka sqaruar se ka qenë në lokalin "Capriço" mbrëmjen e të hënës, javën që shkoi, në një tavolinë me disa miq të tij. Ai ka shpjeguar se në një moment ka parë që dy punonjësit e kompanisë "Taçi Oil", Irgen Selfo dhe Bledar Lilo, po konfliktoheshin me një person në një tavolinë tjetër. Në sqarimet e tij mbi ngjarjen, biznesmeni Rezart Taçi shpjegon se është ngritur nga tavolina, pasi ka parë se në konflikt ishin dy punonjës të kompanisë. Ai ka thënë se është afruar dha ka hyrë për të ndarë personat që po shtyheshin mes tyre. Sipas rrëfimit të Rezart Taçit para gjykatës, në një moment ai kishte arritur t'i ndante dy punonjësit e tij nga konfrontimi fizik me gazetarin Mero Baze. "Por pasi arrita t'i ndaj, situata doli përsëri jashtë kontrolli, pasi Irgeni u kthye dhe e goditi përsëri", ka thënë biznesmeni Rezart Taçi në deklarimet e tij, dhënë para Gjykatës së Tiranës. Ai ka thënë se i vetmi moment kur e ka prekur me dorë gazetarin Mero Baze, ka qenë momenti kur ka ndërhyrë për të ndarë përplasjen fizike mes dy palëve. Sipas hetimit, mësohet se rrëzimi i Mero Bazes përtokë ka ndodhur pasi biznesmeni kishte arritur të ndalonte konfliktin, por Irgen Selfo ishte afruar përsëri tek tavolina ku ndodhej Mero Baze dhe kishte qëlluar ndaj tij. Në seancën e masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës, avokatët e Rezart Taçit janë shprehur ndërkohë se kanë një listë të gjatë personash dëshmitarë, të cilët konfirmojnë versionin e ngjarjes siç është dhënë nga biznesmeni.
Mjekësia Ligjore: Baze raport për nëntë ditë
TIRANE - Prokuroria administron në dosjen penale të hapur ndaj biznesmenit Rezart Taçi aktin e ekspertimit të mjekësisë ligjore mbi dëmtimet e marra nga gazetari Mero Baze në momentin e ushtrimit të dhunës fizike ndaj tij. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, në aktin zyrtar të autopsisë, mjekët ligjorë janë shprehur se kanë verifikuar me kujdes dëmtimet fizike të marra nga gazetari Mero Baze. Në analizim të provave, Instituti i Mjekësisë Ligjore është shprehur në raportin mjeko-ligjor, se gazetari Mero Baze, ka pësuar dëmtime të shkallës së dytë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, konkluzioni i akt-ekspertimit mjeko-ligjor, është se ndaj gazetarit janë kryer "dëmtime të tjera me dashje", të cilat parashikojnë raport mjekësor për mjekim 9-ditor. Në këtë mënyrë, duket se akt-ekspertimi nuk lë vend për klasifikimin e ngjarjes si plagosje, për shkak se një dëmtim i tillë konsiderohet vetëm nëse personi është e nevojshme të trajtohet me raport mjekësor mbi 9-ditor. Akt-ekspertimi sipas akuzës, konfirmon se ndaj gazetarit është ushtruar dhunë fizike.