Bojkoti i PS bllokon gjyqësorin
ADI SHKEMBI
Mungesa e opozitës në Parlament po mban peng funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kjo për shkak se katër anëtarëve të KLD-së që dalin nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare u ka mbaruar mandati, por anëtarët e rinj nuk mund të zgjidhen për shkak se mungon kuadri ligjor për funksionimin e saj. Për gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi, u mblodh dje me nismën e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj dhe me praninë e krerëve të gjyqësorit një tryezë e rrumbullakët, ku pati një debat mes gjyqtarëve dhe nënkryetarit të KLD-së edhe për mënyrën se si duhet mbledhur Konferenca.
Kuadri ligjor
Në fillim të kësaj mbledhje, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Beçaj, artikuloi dy zgjidhjet e kësaj çështje, nëse duhet të pritet miratimi i ligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, e cila do të zgjedhë edhe gjashtë anëtarët që e përfaqësojnë në KLD, apo të mblidhet përmes një rregulloreje provizore. “Mendoni se duhet të presim kur të miratohet projektligji, apo të krijojmë një grup pune që të përgatisë një rregullore provizore në kushtet e mungesës së ligjit dhe të mundësojmë mbledhjen e KGjK-së, tribunës më të rëndësishme që përçon mendimin e gjyqësorit në rang republike (apo vetëm konferenca zgjedhore për anëtarët e KLD-së)?”, u shpreh Beçaj. Takimi, në të cilin ishin pjesëmarrës kryetarët e Gjykatave të Shkallëve të Para dhe të Apelit, të Krimeve të Rënda, kryetarja e Gjykatës së Lartë, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, përfaqësues dhe drejtues të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, të Unionit të Gjyqtarëve si dhe përfaqësuesit e EURALIUS dhe USAID, kishte si objekt zgjidhjen e ngërçit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Konferenca ka si përfaqësues të saj në KLD nëntë anëtarë, por katër prej tyre u ka mbaruar mandati dhe dy të tjerë kanë dhënë dorëheqjen. Për këtë qëllim KLD-ja mbetet e bllokuar në funksionimin e saj. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare” nuk është miratuar për shkak se ai kërkon 3/5 e votave dhe pa pjesëmarrjen e opozitës nuk mund të arrihet numri i nevojshëm i votave. Ky ligj ka ekzistuar më parë, por pas një ankese të Shoqatës Kombëtare të gjyqtarëve ai u shpall si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese dhe deri në miratimin e tij në Parlament, Konferenca Kombëtare e Gjyqtarëve është pa ligj. Në takimin e djeshëm u theksua fakti se ligji për Konferencën Gjyqësore Kombëtare është gati dhe pret vetëm futjen e opozitës në Parlament për t’u miratuar. Gjithashtu u diskutua edhe çështja që e ngriti në fillim të mbledhjes kryetarja e Gjykatës së Lartë, Beçaj, nëse gjyqtarët duhet të mblidhen për të zgjedhur gjashtë anëtarët e KLD-së, edhe pse nuk ka ligj, apo duhet pritur miratimi i ligjit. Burimet bëjnë të ditur se kishte jo pak gjyqtarë që ishin të mendimit për mbledhjen e konferencës edhe në kushtet aktuale. Nga ana tjetër kundër mbledhjes së Konferencës pa u miratuar më parë ligji në Parlament doli nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, sipas të cilit ky institucion duhet të mblidhet vetëm pasi të ketë marrë OK e legjislativit. Gjatë ditës së sotme, një grup pune do të bëjë publike një deklaratë për mediat, ku një prej pikave të saj do të jetë mbledhja e të gjithë gjyqtarëve ku të vendosin se si do të procedohet për zgjidhjen e këtij ngërçi.
Beçaj
Ndërkohë në mbledhjen e djeshme kryetarja e Gjykatës së Lartë, Beçaj theksoi se, “shpeshherë fushatat politike e mediatike ndaj gjyqësorit, përveç presionit të ushtruar, ndikojnë negativisht në deformimin e perceptimit të publikut mbi dhënien e drejtësisë dhe gjykatave”. Sipas saj, “në sistemin gjyqësor bën pjesë një armatë gjyqtarësh të devotshëm, të palodhur e të përkushtuar që kanë rezultate në punën e tyre. Unë vazhdimisht e kam theksuar dhe shpreh bindjen time të plotë se ne nuk kemi sistem të korruptuar, por individë të korruptuar brenda këtij sistemi, të cilët, vetë ne duhet t’i evidentojmë dhe t’i vëmë para përgjegjësisë për të larguar imazhin negativ të krijuar për sistemin e drejtësisë”.