Rëndohet shëndeti i Dritan Dajtit në qeli, vuan nga takikardia
TIRANE - Rëndohet gjendja shëndetësore e Dritan Dajtit në qelitë e paraburgimit 302 në kryeqytet, prej disa ditësh vuan nga takikardia, hipertensioni dhe temperatura e lartë që i shkaktohet nga infeksionet dhe myket e shumta. Bashkëshortja e tij, Dorela Dajti, pohoi dje se prej katër ditësh, 38-vjeçari i arrestuar për masakrën e ndaj policëve në Durrës, nuk ka arritur të ushqehet dhe të marrë mjekimet e duhura. Që nga momenti i arrestimit, më 7 gusht të këtij viti, Dajti ka mbetur në shtrat, pasi tre plumbat që mori gjatë përleshjes me policët i kanë dëmtuar shtyllën kurrizore, duke bërë që ai të mos ketë mundësi të lëvizë nga krevati. Sipas bashkëshortes, dëmtimi i palcës së kurrizit ka bërë që Dajti të humbë ndjeshmërinë, veç të tjerash edhe të urinimit, çka ka bërë që të përdorë pampersa fëmijësh. Ndërkohë mësohet se gjatë paradites së djeshme, Dajti është vizituar në qeli nga një ekip mjekësor i Burgjeve, ku janë konstatuar probleme shëndetësore të takikardisë, hipertensionit dhe temperaturës së lartë. Sipas tyre, këto probleme shëndetësore vinin si pasojë e mungesës së aktivitetit fizik të paraburgosurit, infenksioneve që ai ka marrë, si pasojë e mosurinimit normal dhe mykut në organet e brendshme. Ndërkohë gjatë ditës së sotme pritet që Dajti të vizitohet në qeli nga një ekip i Avokatit të Popullit, në përbërje të të cilit do të ketë mjekë specialistë, që do të monitorojnë shëndetin e tij dhe kushtet në të cilat mbahet në paraburgimin 302. Ndërkohë bëhet e ditur se autoritetet e paraburgimit 302 në kryeqytet kanë caktuar për Dajtin një nga qelitë më të përshtatshme, e cila ka banjë brenda. Por kjo, është parë si e panevojshme për Dajtin i cili nuk arrin të lëvizë nga shtrati i tij. Dajti, i cili u transferua nga qelitë e Spitalit të Burgjeve pak ditë më parë, për shkak të rikonstruksionit të këtij institucioni, merr ndihmën mjekësore si dhe ushqimin nëpërmjet një punonjësi sanitar të Spitalit të Burgjeve, i cili dërgohet çdo ditë në qelitë e 302-shit. Familjarët e tij, dhe vetë i paraburgosuri kanë kërkuar rikthimin e tij në qelitë e Spitalit të Burgjeve, ku veç tjerash ai kishte mundësi që të kurohej dhe t'i nënshtrohej analizave mjekësore, si dhe mund të përdorte aparaturat mjekësore. fa.ma.