E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Korrupsioni çështje serioze, por ka progres

 

ADI SHKEMBI

Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën në drejtësi, por ka ende punë për të bërë. Komisioni Evropian ka publikuar dje progres-raportin për vitin 2008, duke u ndalur në detaje në tre fushat kryesore: kriteri politik, kriteri ekonomik dhe standardet evropiane. Për sa i përket kriterit politik në raport thuhet, se partitë e vogla ishin kundër ndryshimeve në Kushtetutë, me pretendimin se amendamentet nuk u diskutuan gjerësisht. Lidhur me reformën zgjedhore thuhet se Kodi i Ri duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, duke shtuar se zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë prioritet kyç për partneritetin evropian. Lidhur me rrëzimin e pesë dekreteve të presidentit Topi në Kuvend, raporti thekson se "Marrëdhënia mes presidentit dhe Parlamentit u bënë të vështira në disa raste. Parlamenti refuzoi emërimet e presidentit për në Gjykatën e Lartë në qershor, ndërkohë që përfundimisht i aprovoi propozimet e dyta të presidentit në korrik. Ky proces rriti shqetësimet rreth pavarësisë së institucioneve shtetërore nga ekzekutivi". Përsa i përket reformës në drejtësi, sipas dokumentit vjetor të Komisionit Evropian "është bërë një progres i kufizuar në reformën juridike, kryesisht në kornizën ligjore. Megjithatë sistemi juridik vazhdon të funksionojë varfërisht për shkak të mungesës së arritjeve në pavarësi, përgjegjshmëri dhe transparencë".
Antikorrupsioni
Shqipëria vlerësohet se ka bërë progres edhe në fushën e antikorrupsionit, por ende ky fenomen mbetet veçanërisht serioz. "Përpjekje të mëtejshme janë ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit. Perceptimi për luftën kundër korrupsionit është përmirësuar, prapëseprapë korrupsioni mbetet një problem veçanërisht serioz në Shqipëri", thekson raporti. Gjithashtu, vihet theksi edhe te domosdoshmëria e miratimit në parlament të ligjit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, si dhe miratimi e zbatimi i ligjit për financimin e partive politike. "Nga prezantimi i sistemit elektronik janë bërë përpjekje për të reduktuar mundësitë për korrupsion në fusha të tilla si administrimi i taksave, shërbimet ndaj biznesit, rikthimi i pronave dhe prokurimet publike. Nga dhjetor 2007 procedurat elektronike janë prezantuar në këto fusha, megjithatë rezultatet dhe impakti i këtyre procedurave mbetet për t'u vlerësuar", thuhet më tej në raport.
Gërdeci
Pjesë e raportit është edhe shpërthimi në 15 mars në Gërdec. Sipas Komisionit Evropian është bërë progres i kufizuar në menaxhimin e armëve të vogla dhe eksplozivëve. "Ministri i Mbrojtjes u shkarkua dhe imuniteti i tij u hoq për të siguruar kredibilitet në luftën kundër korrupsionit. Pohimet e vërtetuara rreth kësaj çështje nevojitet, që të zgjidhen si pjesë e hetimit që ka ndërmarrë prokuroria. Në tërësi, Shqipëria ka vazhduar t'i adresohet korrupsionit si një prioritet kyç për partneritetin evropian", thotë raporti.
Vizat
Lidhur me liberalizimin e vizave, Komisioni Evropian nuk jep afate konkrete, por thotë se është bërë pak progres në këtë drejtim, duke shtuar se një regjistër civil i besueshëm dhe një sistem adresash janë në vazhdim. "Kompletimi i regjistrit civil dhe adresave është jetike, si burim për të dhënat e kartave të identitetit, në mënyrë që të sigurohet një sistem i saktë i dokumenteve të identitetit. Në tërësi, Shqipëria ka vazhduar që në mënyrë të pjesshme të zbatojë objektivat e saj në fushën e kontrollit të kufijve, por burimet njerëzore mbeten të papërgatitura për të përballuar në mënyrë efeciente këtë çështje", thotë raporti.

pikat kryesore te raportit

• Në prill 2008 parlamenti miratoi një paketë ndryshimesh kushtetuese bazuar në konsensusin mes dy partive më të mëdha, e cila përfshinte ndryshimin e sistemit elektoral, zgjedhjen e presidentit dhe mandatin e prokurorit të Përgjithshëm.
• Partitë e vogla, përfshirë dhe ato që përfaqësojnë minoritetet kombëtare, i kontestuan ndryshimet në kushtetutë duke pretenduar që ato mund t'i largonin nga parlamenti. Këto parti gjithashtu thanë, se ndryshimet kushtetuese sidomos mënyra e zgjedhjes së Presidentit dhe mandati i prokurorit të Përgjithshëm nuk u diskutuan në mënyrë transparente.
• Konsensusi mes partisë më të madhe të maxhorancës dhe asaj më të madhe të opozitës rezultoi në një progres në reformën në drejtësi dhe atë elektorale. Megjithatë, shumë gjëra mbetën për t'u bërë, për të zhvilluar dialogun konstruktiv mes partive politike në zbatimin e reformave, të cilat janë çelësi i prioriteteve të partneritetit evropian.
• Kompletimi i reformës elektorale do të kërkojë njëkohësisht adoptimin e një kodi gjithëpërfshirës dhe transparent, i cili do të lejojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në 2009. Zgjedhjet janë prioritet kyç i partneritetit evropian.
• Marrëdhënia mes presidentit dhe parlamentit u bënë të vështira në disa raste. Parlamenti refuzoi emërimet e presidentit për në Gjykatën e Lartë në qershor, ndërkohë që përfundimisht i aprovoi propozimet e dyta të presidentit në korrik. Ky proces rriti shqetësimet rreth pavarësisë së institucioneve shtetërore nga ekzekutivi.
• Në tërësi, është bërë një progres i kufizuar në reformën juridike, kryesisht në kornizën ligjore. Megjithatë, sistemi juridik vazhdon të funksionojë varfërisht për shkak të mungesës së arritjeve në pavarësi, vlerësim dhe transparencë.
• Përpjekje të mëtejshme janë ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit. Perceptimi për luftën kundër korrupsionit është përmirësuar, prapëseprapë korrupsioni mbetet një problem veçanërisht serioz në Shqipëri.
• Nga prezantimi i sistemit elektronik janë bërë përpjekje për të reduktuar mundësitë për korrupsion në fusha të tilla si administrimi i taksave, shërbimet ndaj biznesit, rikthimi i pronave dhe prokurimet publike.
• Koordinimi institucional i strukturave përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit mbetet i dobët.
• Qeveria ka pasur njëlloj suksesi në luftën kundër korrupsionit të butë dhe rreshtit. Një numër zyrtarësh të ulët dhe të mesëm janë shkarkuar për ryshfet. Duke pasur parasysh nivelet e larta të korrupsionit një ish-zv.ministër ka bërë një vit burg. Megjithatë, më shumë përpjekje sistematike nevojiten për të luftuar korrupsionin në tërësi, veçanërisht ryshfetin e përhapur gjerësisht në sistemin juridik, në polici, në shëndetësi dhe në dogana.
• Një shpërthim i depove në Gërdec në mars 2008 është në hetim për mungesën e rregullave të sigurimit. Një progres i kufizuar është raportuar në menaxhimin e armëve të vogla dhe eksplozivëve të cilat mbeten një problem serioz në Shqipëri. Të tjera pohime të pavërtetuara e lidhin aksidentin e Gërdecit me trafikun e armëve dhe korrupsionin. Ministri i Mbrojtjes u shkarkua dhe imuniteti i tij u hoq për të siguruar kredibilitet në luftën kundër korrupsionit. Pohimet e vërtetuara rreth kësaj çështje nevojitet që të zgjidhen si pjesë e hetimit që ka ndërmarrë Prokuroria.
• Është bërë pak progres në menaxhimin e vizave. Përgatitjet për një regjistër civil të besueshëm, një sistem adresash janë në vazhdim. Kompjuterizimi i regjistrit të gjendjes civile është kompletuar dhe në shtator zyrat e gjendjes civile kanë nisur të shpërndajnë certifikatat e printuara.
• Progres i kufizuar është bërë në luftën kundër pastrimit të parave, çka vazhdon të mbetet një problem madhor. Ekonomia shqiptare veçanërisht sektori privat mbetet gjerësisht jashtë bankar. Në termat e mekanizmave të kontrollit ndaj transaksioneve në cash nuk ka strategji për ta ndaluar.
• Është bërë progres i kufizuar në luftën kundër drogës. Por trafiku i drogës mbetet një shqetësim serioz. Në tërësi Shqipëria është duke bërë një progres të moderuar në luftën kundër trafikut të drogës.
• Është raportuar progres i kufizuar në luftën kundër krimit të organizuar, e cila është prioritet kyç në partneritetin evropian. Strategjia kombëtare për luftën kundër krimit të organizuar u miratua në korrik 2008, por mbetet për t'u zbatuar. Krimi i organizuar vazhdon të jetë një problem serioz në Shqipëri. Vështirësitë në bashkëpunimin mes policisë dhe prokurorëve vazhduan të pengojnë luftën kundër krimit të organizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›