Vizat, Lohan: Gota, gjysmë e mbushur
ADI SHKEMBI
Shqipëria ka shpr-esë të përfitojë liberalizim të vizave në vitin 2009, por ka ende disa standarde për të përmbushur. Këtë e bëri të ditur dje ambasadori i delegacionit të Komisionit në Shqipëri, Helmuth Lohan, në konferencën për shtyp ku prezantoi progres raportin e vitit 2008. I pyetur nëse vendi ynë mund të ketë liberalizim vizash vitin e ardhshëm, Lohan tha se kishte shpresë se mund të ndodhte një gjë e tillë, por shtoi se gjithçka varet nga standardet e parashikuara nga Komisioni Evropian. "Shqipëria ka bërë progrese, të cilat janë të rëndësishme për liberalizimin e vizave, si p.sh. kontrolli i kufijve, apo proceset që çojnë në sjelljen e dokumenteve të sigurta të identifikimit. Qeveria shqiptare është angazhuar që të punojë me një plan që është nxjerrë prej nesh, përsa i përket liberalizimit të vizave, por ka disa standarde të tjera në lidhje me liberalizimin e vizave, përsa i përket këtij plani. Nuk mendoj se mund të përjashtohet fakti që Shqipëria mund të plotësojë, mund t'i arrijë kërkesat në vitin 2009, dhe meqenëse jam optimist, atëherë unë mund të them që gota është gjysmë e mbushur", u shpreh Lohan. Duke iu referuar miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, ambasadori i Komisionit Evropian, tha se ai duhet të kalojë përmes një konsultimi në shkallë të gjerë me aktorët politikë. Sipas tij, "Përfundimi i kësaj reforme ka nevojë për një miratim në kohën e duhur të një kodi elektoral gjithëpërfshirës, në mënyrë që zgjedhjet të bëhen në mënyrën e duhur. Për sa i përket gjithpërfshirjes ka të bëjë me konsultimin e palëve të interesuara, qofshin këto edhe palët politike". Lohan i cilësoi zgjedhjet e vitit të ardhshëm si shumë të rëndësishme për Shqipërinë. "Është e rëndësishme që këto zgjedhje të përgatiten dhe zhvillohen në mënyrë të atillë që të shmangen kontestimet në fund të tyre. Përgatitjet, finalizimi i tyre dhe i kodit duhet të ndodhin në parlament dhe jo jashtë parlamentit. Unë kam besim se politikanët shqiptarë janë të ndërgjegjshëm për sfidat që kanë përpara, për rëndësinë e zgjedhjeve 2009 dhe ky ka për të qenë një test litmus i ecjes përpara i funksionimit të demokracisë në Shqipëri", theksoi më tej Lohan. Gjithashtu kreu i delegacionit të KE-së u ndal edhe te hetimi i tragjedisë së Gërdecit. "Nuk mendoj se është mirë për çfarëdolloj hetimi, nuk mendoj se ndihmon nëse ka ndërhyrje politike. Pra ndërhyrjet politike nuk ndihmojnë në hetime. KE thotë që hetimi i Gërdecit duhet të përfundojë. Kjo do të thotë që edhe hetuesit të bëjnë punën e tyre dhe të tjerët të mos ndërhyjnë në punën e hetuesve", përfundoi Lohan.