E Diel, 1 Nëntor 2026

Mavraj refuzon Shqipërinë: FSHF-ja më bëri presion

 

Jetmir Halilaj

Mbrojtësi kosovar Mërgim Mavraj ka refuzuar ofertën e Federatës Shqiptare të Futbollit për t’u grumbulluar me përfaqësuesen “A” të Shqipërisë. Këtë e ka bërë të ditur të mërkurën për “Koha Ditore” vetë futbollisti i Bohumit. 22-vjeçari ka thënë se është kushtëzuar nga drejtuesit e FSHF-së që brenda disa orëve të vendoste nëse dëshironte të grumbullohej me kuqezinjtë apo jo. Vetë Mavraj thotë se ka kërkuar që të flasë me trajnerin Ari Han fillimisht, para se të merrte një vendim. Dhe sipas tij, një gjë të tillë nuk ia lejuan zyrtarët e FSHF-së, ndaj mbrojtësi është shprehur se përfundimisht nuk do të luajë për Shqipërinë.
“Të martën në mbrëmje menaxheri bisedoi me një zyrtar të FSHF-së, i cili e pyeti nëse kam vendosur apo jo të luaj për Shqipërinë. Menaxheri i bëri të qartë qëndrimin tim, duke thënë shprehimisht se unë, pa kontaktuar vetë Ari Hanin nuk mund të vendos për këtë çështje. Po ashtu, i ka treguar se me shumë dëshirë do të luaja për Shqipërinë, por fillimisht duhet një kontakt i drejtpërdrejtë me Hanin”, ka thënë Mavraj. Sipas tij, biseda është bërë rreth orës 18:00 të së martës dhe përnjëherë ka marrë një kthesë të papritur. Zyrtari i FSHF-së i kërkoi Mavrajt të vendoste për pak orë. Më lanë shumë pak kohë për të menduar dhe unë vendosa të mos luaj për Shqipërinë. Trajneri i Shqipërisë nuk ka folur asnjëherë me mua dhe unë nuk mund të vendos pa ditur mendimin e tij. Doja që trajneri të më garantonte se bëja pjesë në planet e tij, por zyrtari i FSHF-së nuk ka pranuar të më japë më shumë kohë për të vendosur, dhe gjërat shkuan në këtë mënyrë”, shtoi ai. Qendërmbrojtësi nga korriku i vitit të kaluar është pjesë e ekipit të Bundesligës gjermane, Bohum. Këtë edicion është aktivizuar në gjashtë ndeshje. Shqipëria më 19 nëntor zhvillon ndeshje miqësore me Azerbajxhanin, ku ishte planifikuar të debutonte edhe Mavraj, por mbrojtësi nuk do të jetë pjesë e kuqezinjve.

Mediat: Beqaj, më “i çmendur” se Interi

Barazimi spektakolar 3-3 i Anorthosis Famagusta kundër Interit famëmadh ishte një nga surprizat e ndeshjeve të së martës në Ligën e Kampioneve. Portieri shqiptar i skuadrës qipriote, Arjan Beqaj, pësoi tre gola në këtë takim dhe mediat kanë qenë të ndara në lidhje me paraqitjen e gardianit kuqezi. Në komentin ‘mediaset’ thuhej se portieri shqiptar, fare mirë mund të qëndrojë në të dyja kampet: ndër më të kritikuarit, por edhe tek më të vlerësuarit e kësaj ndeshjeje. “Ka pësuar tre gola, të evitueshëm, por ka ndalur në mënyrën më spektakolare disa herë gjuajtjet e Ibrahimoviçit. Fare mirë mund të kritikohet dhe të lavdërohet njëkohësisht. Ishte i çmendur, po aq sa edhe Interi”, shkruhej në komentin e Tgcom.it. Në minutën e 13-të Beqaj grushtoi gjuajtjen Ibrës, por nuk mundi të shmangte golin e Balotelit. Disa media ndërkombëtare e konsideruan këtë gol si një “dhuratë” të portierit shqiptar, “duke lejuar Balotelin të shënojë”. Në golin me kokë të Materacit (i dyti), Beqaj pësoi një “gol mes këmbësh”, i njëjti si ai që pësoi kundër Hungarisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›