E Diel, 1 Nëntor 2026

Times: Zgjedhjet më humoristike në historinë e SHBA

 

Jo vetëm historike për nga rezultati dhe zgjedhja, por fushata elektorale e 44 në SHBA është etiketuar edhe si më qesharakja. Gazeta britanike "Times" i ka konsideruar këto zgjedhje, si më humoristiket në historinë amerikane. Shumë media në botë kanë bërë çudi se si mund të promovohen krerët e shtetit në një emision satirik si "Saturday night live", ku republikanët kanë 'kritikuar' veten dhe fushatën e tyre dhe kanë nxjerrë në lojë edhe sozinë e Sarah Palin. Me sa duket amerikanët kanë shumë nevojë të qeshin, pasi vërtet pas shfaqjeve të tilla popullariteti i kandidatit është rritur disi duke luhatur pak sondazhet. Ndërsa emri i Obamës ka shkuar më larg sesa emisionet televizive. Ai e ka gjetur mbështetjen në Hollivud. "Obama mania" ka rreshtuar emra si Riçard Gere e deri tek Sharon Stone, duke kaluar te regjisori shumë i vlerësuar me çmime, Oliver Stone, i cili ka dalë hapur nëpër salla me filmat ku denoncon politikën e Xhorxh Bush, gjë që i heq kështu vijën e kuqe mbështetjes së pasardhësit të Bushit në radhët e republikanëve, Xhon Mekein. Për të mos folur për trazirat që shkaktoi Sarah "Barracuda" Palin e joshur nga të qenit yll sapo u zgjodh kandidate. Në fakt, kështu mendojnë disa femra që u joshën nga pozicioni i një gruaje si zëvendëskandidate për presidente për herë të parë në shtetin fuqiplotë dhe nisën të imitojnë stilin e saj. Për të thënë të vërtetën stili i Sarës ishte për të rënë të fikët, me veshje që kanë kushtuar 150 mijë dollarë, një shumë e konsiderueshme për t'u konsumuar për veshje edhe për një politikan në SHBA, megjithatë për Sarën kjo nuk ka qenë problem, ka paguar partia për të. Brigitte Bardot, e ka përkufizuar Sarën si një "katastrofë ekologjike" bazuar në pozicionin e saj në politikat energjetike. Për të mbetur në emrat e Hollivudit, edhe Francis Ford Coppola ka shprehur pa rezerva mbështetjen e tij për kandidatin demokrat, që e konsideron "një shpresë të madhe për Amerikën". Ndërsa ylli i popit, Madonna, ka vendosur që Sarah Palin të mos lejohet të hyjë në koncertet e saj, duke theksuar se një nga këngët e saj hit, nuk duhet kurrsesi të përdoret si sfond për spotet e republikanëve. Shumë nga kolegët e saj kanë marrë madje pjesë edhe në fushatën sensibilizuese të votimit, si Leonardo Di Caprio dhe Dustin Hoffman, deri tek Demi Moore, të cilët kanë treguar përkrahjen e tyre në Youtube, duke i kërkuar të rinjve të votojnë. Por edhe Jennifer Lopez dhe Natalie Portman, kanë zgjedhur të bëhen pjesë e fushatës që përsërit në sloganin e saj, se votimi është "mënyra e vetme për të ndryshuar". Pa përmendur kandidatin, ishte shumë e qartë se mbështetja e tyre shkonte për Barak Obamën, i cili në fushatë përdorte sloganin e mësipërm.

Bush po feston ditëlindjen e Laurës

Ndërsa zgjedhjet u fituan bindshëm nga demokrati Barak Obama, presidenti Bush nuk ka dashur të prishë programin e tij. Edhe pse zgjedhjet u konsideruan si disfata e politikës së Bushit, presidenti e kaloi kohën në Shtëpinë e Bardhë duke ngrënë kek me arra kokosi të përgatitur enkas për 62-vjetorin e lindjes së gruas së tij, Laura. Presidenti në ikje i ka dhuruar zonjës së parë një palë vëthë të bukur, sipas "Washington Post". Bëhet e ditur se presidentit nuk i është dashur të dalë për të votuar, pasi e kishte hedhur votën e tij për këtë vit me postë gjatë muajit tetor. Pasi ka festuar ditëlindjen e Laurës, Bush i ka telefonuar më pas Obamës për t'i uruar fitoren. "Ishte nj fitore triumfuese për shoqërinë amerikane", ka deklaruar presidenti.

Kuriozitete

93 vjeçe pa votuar kurrë
Ora Williams e ka gëzuar të drejtën e votës prej 43 vitesh, por nuk e ka ushtruar kurrë atë. Tashmë në moshën 92-vjeçare gjyshja nga Qyteti Walton, Xhorxhia, ka zgjedhur të votojë. "E kam ndjekur në televizor dhe unë do të votoj për Barak Obamën. Nuk kam votuar kurrë më parë, nuk kam dashur kurrë të votoj, por nuk kam menduar kurrë se do të kemi një president të zi, ai do t'ia dalë", tha ajo.

Emri republikan
Obama nuk është i vetmi që ka shkaktuar çudira në popullin e tij. Kështu që një baba në Elizabethon, në Tenesi, ka vendosur t'ia vendosë emrin vajzës së tij të porsa lindur, Sarah Mekein Palin.

Spoti Obama
Në spotin elektoral pro Obamës bëjnë pjesë një grup gjeneralësh të shtetit izraelit dhe preferenca e tij për ish-kampionin rus, Garry Kasparov.

Hera e parë e binjakeve
Dy binjake 86-vjeçare, Stela dhe Marcela Johns, nuk kishin votuar kurrë më parë dhe inauguruan votën, vetëm sepse Obama ishte kandidat.

Takimi virtual në CNN
CNN ka mahnitur mediat në të gjithë botën në natën e zgjedhjeve presidenciale, pasi ka eksperimentuar me sukses për herë të parë një teknikë hologrami në një studio televizive. Reporterja Jessica Yellin, në Çikago, u projektua falë një teknike super-moderne, njëlloj si të ishte e pranishme në studiot qendrore të Nju Jork. Teknika u realizua me 35 telekamera që filmonin gazetaren gjatë raportimit direkt nga Çikago, që dukej si e gjallë pranë prezantuesit brenda në studio.

Hollivudianët e Mekeinit
Clint Eastwood, Robert Duvall dhe Tom Selleck kanë shprehur mbështetjen për Mekeinin. Edhe muskulozi Rocky-Rambo-Sylvester Stallone. Por nuk mund të mos përmendet Donald Trump, një nga më të pasurit në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›