BE: Korrupsioni në Kosovë, i kudondodhur
"Në Kosovë korrupsioni ekziston në shumë forma dhe në të gjithë sektorët". Ky është vlerësimi i Komisionit Europian, i cili u prezantua dje në një mbledhje publike, në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit. Komisioni Europian kryesoi një mbledhje publike, ku u paraqitën konstatimet e studimit të korrupsionit në Kosovë për 2009-ën. Qëllimi i kësaj ngjarjeje ishte nxitja e një debati informues, për të rritur vetëdijesimin e publikut dhe për t‘iu dhënë hapësirë aktiviteteve kundër korrupsionit në të ardhmen në Kosovë. "Konstatimet e studimit duhet të shfrytëzohen në mënyrë konstruktive për të krijuar një mënyrë efikase për luftimin e korrupsionit. Në Kosovë korrupsioni ekziston në shumë forma dhe në të gjithë sektorët. Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit duhet të jetë rrënjësor dhe të gjitha institucionet kosovare duhet të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me njëra-tjetrën. Duhet të kthehet besimi i publikut dhe duhet të rritet rezistenca kundër sjelljes dhe praktikave të korruptuara", ka thënë shefi i operacioneve në zyrën ndërlidhëse të KE-së, Kjartan Björnsson. Studimi vë në pah se manifestimet kryesore të korrupsionit në Kosovë ndahen në tri modele të veçanta të sjelljes, që janë të ngulitura fuqishëm në të gjithë sektorët e shoqërisë: Mundësia - e njohur edhe si keqbërje, korrupsioni gjerësisht pranohet si një mundësi për përfitim financiar. Si pasojë, rezistenca individuale dhe kolektive ndaj presionit të korrupsionit është e ulët. Rrjetet (grupimet) shoqërore - lidhjet e ngushta familjare dhe besnikëria klanore ofrojnë mbështetje, kështu që keqbërja nuk bëhet e njohur. Si pasojë, sjellja e korruptuar kopjohet dhe përsëritet. Rrjetet (grupimet) profesionale - mungesa e transparencës në marrëdhëniet midis politikanëve, shërbyesve civilë, udhëheqësve publikë, familjeve dhe bizneseve të tyre krijon një ambient të mbyllur ku ka mundësi dhe ku presioni i korrupsionit është i lartë. Përgatitja dhe publikimi i studimit është pjesë kyçe e projektit të financuar nga BE-ja, "Mbështetja për institucionet kundër korrupsionit në Kosovë". Në përgjithësi, qëllimi i tij është të konsolidojë sundimin e ligjit, duke iu ofruar përkrahje institucioneve nacionale kundër korrupsionit. Projekti pritet të zgjasë deri në janar 2011 dhe do t‘i kushtojë vëmendje parësore kornizës ligjore kundër korrupsionit, mekanizmave për bashkëpunim e koordinim midis institucioneve nacionale kundër korrupsionit, vetëdijshmërisë së publikut dhe angazhimit në luftën kundër korrupsionit.
Y.Pata
Y.Pata