E Diel, 1 Nëntor 2026

Punëtorët pa rroga, këshilltarët miratojnë fonde për ekskursion

Ndërkohë që 67 punonjës të Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit të Patosit nuk janë paguar për dy muaj, këshilltarët e djathtë kalojnë vendimin për të kaluar pushimet në Stamboll. Në mbledhjen e datës 23 nëntor të vitit 2009, me kërkesë të këshilltarit Leonard Behaj është kërkuar miratimi i fondit të ekskursionit që disa këshilltarë do të bëjnë të Stamboll të Turqisë në prag të festave të fundvitit. Fondi është 700 mijë lekë dhe kërkesa është bërë nga katër këshilltarë të PD-së dhe dy të PDI-së, me pretendimin se udhëtimi do të bëhet për t‘u binjakëzuar me këtë qytet turk. Edhe pse përfaqësuesit e PS-së dhe disa përfaqësues të forcave të vogla politike kanë kundërshtuar, këshilltarët e PD-së, PDI-së dhe LSI-së kanë votuar dhe kaluar fondin në fjalë. Vendimi që ka marrë 17 vota është hedhur në fletoren e procesverbaleve nga sekretarja Rajmonda Bregasi. Një kopje të këtij vendimi ende të pazbardhur gazeta ka mundur ta sigurojë, ndërkohë që në të shënohet kundërshtimi i kryetarit të bashkisë, Bardhi Meli, i cili ka kërkuar rishikim të këtij vendimi. Por këshilltarët e mazhorancës së re, PD-LSI dhe PDI, kanë katër mbledhje që shtyjnë miratimin e fondit të pagave për punonjësit e papaguar. Fondi i pagave për punonjësit e gjelbërimit është vetëm 300 mijë lekë më shumë se fondi që ata miratuan për pushime në Stamboll.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›