E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet kreu i ri i bluve të Sarandës

Në krye të Komisariatit të Policisë së Rendit në Sarandë ka ardhur një emër i ri. Ai është Besim Palamani, ish-shef i Komisariatit të Elbasanit. Kreu i ri i Komisariatit të Sarandës është prezantuar para efektivëve të këtij komisariati nga drejtori i Drejtorisë së Policisë së Vlorës, zoti Ylli Metko. Kryekomisari Palamani vjen në Sarandë pas një eksperience të gjatë pune në strukturat e Policisë së Shtetit, duke qenë me detyrën e drejtuesit numër një të komisariateve të policisë së rendit në disa rrethe të vendit. Në Sarandë ai ka zëvendësuar Florian Rrasën, i cili mësohet se është transferuar me detyrë në Ministrinë e Brendshme. Kreu i ri i bluve të Sarandës, Besim Palamani, ka premtuar qysh në ditën e parë të punës së tij në qytetin jugor të turizmit se do të ketë përparësi të punës së vet luftimin e kriminalitetit, e sidomos të dukurisë së vjedhjes së banesave dhe biznesit, që ka marrë përmasa shqetësuese kohët e fundit në Sarandë. "Në ambicien time është që rendi dhe siguria në qytet të kuptohen dhe realizohen si rezultat i profesionalizmit të efektivave tanë", tha Palamani.

Th.Nika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›