E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët e Juridikut, protestë për diplomat

Studentë të Fakultetit të Drejtësisë kanë organizuar një tjetër protestë në ambientet e universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës. Studentë të vitit të tretë të Juridikut thonë se në fillim të studimeve të tyre janë njoftuar se do të kryenin studimet në sistemin katërvjeçar, e tashmë ato ndërpriten krejt papritur. "Na kanë thënë se do jemi me sistemin katërvjeçar dhe dy vitet e para i kemi bërë sipas këtij sistemi. Pasi mbaruam vitin e parë dhe të dytë, nuk na thanë nëse do të kishte ndryshime. Tani na vjen shefi i departamentit dhe na thonë që këtë vit mbarojmë sistemin trevjeçar dhe marrim një gjysmë diplome", thotë një nga studentët. Shqetësimi i tyre është se diploma që do të marrin nuk ka thjesht vlerën e një certifikate. Studentët kërkojnë të njihet sistemi katërvjeçar. "Nuk pranojmë as diplomën e integruar. Kërkojmë thjesht të na njihet profili ynë. Në Vlorë nuk ka master dhe çdo zgjedhje që do na propozojnë, do të jetë thjesht jo një zgjidhje për ne. Në heshtje dhe pedagogët tanë janë dakord me ne, pavarësisht se nuk na mbështesin dot", thotë një tjetër student.

M.Marsi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›